Pse demokracia nuk të bën të lumtur?

03/05/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Ndoshta pyetja mund të shtrohej ndryshe: A ekziston lumturia? Askush nuk mund të japë një përgjigje të plotë dhe shteruese, sepse, siç thoshte Hajdeger, raporti i njeriut me kohën është ankthi i vdekjes, domethënë, ne përgatisim gjithçka në jetë me qëllimin e vetëm që të shkojmë drejt vdekjes.

Filozofët thonë gjithashtu se historia e njeriut është histori e palumtur, sepse njerëzit janë pasardhës të krimeve, vrasjeve dhe gjenocideve. U deshën dy luftëra botërore që Europa të projektonte një vizion tjetër për të ardhmen, vizion që nuk mbështetej më tek eliminimi i tjetrit, por te dialogu dhe pranimi i tjetrit. Nëse do të kthehemi në realitetin tonë, këtu sendet komplikohen më shumë. Por ka dhe një tregues që na projekton ne shqiptarëve si një popull që nuk dimë të shfaqim sa dhe si duhet identitetin tonë. Në kulturën e jetës shqiptare janë të shtresuara shumë pak dije që vijnë nga institucione të mendimit ose të besimit. Në mentalitetin shqiptar më shumë vend zë vetëgjykimi instinktiv apo ajo që njihet në terminologjinë e përgjithshme si urtësi popullore apo si traditë. Nga të gjitha sistemet politike që kanë kaluar mbi shqiptarët, dy prej tyre, sistemi oriental perandorak dhe ai komunist kanë lënë më shumë gjurmë. Prej të parit kemi trashëguar apatinë, plogështinë mendore dhe mungesën e iniciativës kolektive, si dhe të menduarin që mbështetet mbi supersticione dhe kombinime të fatit apo të rastit, prej të dytit kemi trashëguar mosbesimin dhe naivitetin, si dhe neverinë për organizimin social. Natyrisht, kjo është një temë e gjerë, por nëse do të marrim në vështrim dy shenja ndoshta e justifikojmë arsyetimin tonë.

Shqiptarët dhe atdheu

Aktualisht, në Shqipëri banojnë më pak se 3 milionë banorë dhe mendja e një pjese prej tyre është që të largohen nga ky vend, të ikin në emigracion. Të kuptohemi drejt, instinkti i shqiptarit për të mërguar është i hershëm. E kam përmendur dhe herë të tjera se mendimtarët e mëdhenj dhe sidomos Dora D’Istria e kishin vënë re me kohë se shqiptarët dallohen për emigracion dhe mercenarizëm. Mirëpo keqkuptimi që po ndodh tani është ai mes emigracionit dhe lëvizjes së lirë. Unë personalisht nuk i besoj sintagmës se shqiptarët që ikin po ikin për bukën e gojës. Në këtë vend askush nuk vuan për bukën e gojës ose më saktë akoma nëse në këtë vend që i ka të gjitha, mal, fushë, ujë, diell, det, liqen, pra gjithçka që ka natyra, paska prej atyre që nuk jetojnë dot dhe vuajnë për bukën e gojës, ata shqiptarë, nuk i shpëton dot as Gjermania dhe as Perëndia. Këtu e shoh unë përgjegjësinë e shtetit. Kemi njëzetë e ca vjet dhe nuk kemi një statistikë të besueshme të familjeve shqiptare në qytet dhe në fshat dhe evidentimin e tyre real. Shteti duhet të na tregojë me shifra se sa familje në Shqipëri vuajnë për bukën e gojës, sa të tjera jetojnë normalisht dhe kështu me radhë. Mirëpo, keqkuptimi mes emigracionit dhe lëvizjes së lirë, sipas mendimit tim, është paradoksi i kohës në të cilën jetojmë. Shqiptarët kanë përmbysur diktaturën, kanë fituar lirinë për të folur dhe për të lëvizur brenda vendit, por nuk kanë fituar ende lirinë që të ndihen europianë. Muri i dikurshëm i Berlinit është zëvendësuar me murin e padukshëm të diferencës që ka në themel konfliktin e përhershëm të Unit me Tjetrin. Europa ku ne duhet të integrohemi na quan ende tjetri, i ndryshmi. Në qoftë se gjatë komunizmit ne kishim ndërtuar utopinë e Europës si një vend të lumturisë së realizuar, të përfunduar, tani, Europa, për ne, është utopia e vendit të pamundur, sepse për të shkuar atje ne duhet të jo të shembim Murin e Berlinit, por të ndërtojmë urat që na bëjnë të përafërt me sivëllezërit tanë europianë. Kur vjen puna te ndërtimi, shqiptarët e kanë shumë të vështirë, sepse sistemi i tyre i edukimit është ndër më të mjeruarit në Europë.

Kongoja, një histori tragjike që duhet ta lexojmë

Kongoja ose Republika Demokratike e Kongos është një nga vendet më të pasura në botë për burimet natyrore. Vlera e këtyre burimeve është rreth 24 miliardë dollarë amerikanë. Përveç kësaj, Kongoja ka rreth 50% të territorit me pyje dhe me ujëra, një potencial i rëndësishëm ky për industrinë pyjore dhe atë hidroelektrike. Pasuritë e saj nëntokësore janë nafta, ari, diamantet, kobalti. Me gjithë këtë pasuri të jashtëzakonshme që ka ky vend, Kongoja mbështetet në ekonominë bujqësore. Territori që shfrytëzohet për këtë ekonomi zë 3%, por kjo lloj ekonomie zë 70% të prodhimit të përgjithshëm. Kongoja nuk ka qenë gjithmonë e varfër siç është sot. Kur ajo ishte koloni e Belgjikës, ishte vendi i dytë më i zhvilluar në këtë kontinent pas Afrikës së Jugut. Sapo fitoi Pavarësinë, vendi u zhyt në kaos, në luftëra civile, në korrupsion dhe në varfëri. Ndërkaq, Japonia është vendi që nuk ka thuajse asnjë pasuri nëntokësore. Singapori është një vendth që nuk ka as ujë, por të dyja bashkë janë ndër vendet më të zhvilluara të botës. Si ka mundësi? Natyrisht askush nuk mund të thotë me saktësi se përse ndodh kështu, vetëm se një gjë është e sigurt. Të dyja këto vende, qoftë Japonia qoftë Singapori kanë investuar mbi të vetmen pasuri që kanë, mbi njeriun, përmes edukimit, përmes shkollimit. Ne këtë sfidë ende nuk e kemi nisur. Shkolla shqiptare është gropa e zezë më e errëta që kemi.

Dhe në fund… Edi Rama

Unë personalisht i mbështes veprimet e qeverisë së drejtuar prej Edi Ramës. Në këta njëzetë e ca vjet, për herë të parë kemi një kryeministër që ka nisur të bëjë reforma të thella, të cilat synojnë ndërtimin e një vendi modern të mbështetur në ligje. Në këta dy vjet Edi Rama mund të kritikohet për gjithçka, por askush nuk mund të thotë se ai ka kryer veprime korruptive dhe antidemokratike me vendimet e qeverisë. Në këta dy vjet nuk kemi as edhe një vendim qeverie që të jetë i dyshimtë dhe me efekt korruptiv. Të mos harrojmë se qeverisja jonë vjen nga dy modelet Nano dhe Berisha. Është e vërtetë që qeverisja “Rama” nuk po prodhon optimizëm dhe lumturi. Këto të dyja janë bërë të largëta edhe për europianët vetë. Ajo që unë personalisht nuk po shoh në veprimin e Edi Ramës është vizioni dhe vullneti për të rilindur dijen dhe shkollën shqiptare. Ndaj institucioneve të dijes dhe shkollës në përgjithësi ka një indiferentizëm alarmant. Arnimet që bëhen me fushata për arsim profesional apo me reforma në arsimin e lartë, janë vetëm një rutinë që nuk prodhon asgjë. Shqipëria ka vetëm një mundësi që të mos katandiset si Kongoja, ajo duhet t’i edukojë shqiptarët me dije dhe këtë ta bëjë duke instaluar një shkollë sipas modelit japonez ose sipas modelit të Singaporit. Vetëm kështu shqiptarët do ta kuptojnë se ku jetojnë dhe sesa të pasur janë. Përndryshe do vijojnë atë këngën tragjikomike që ishte lajtmotiv njëherë e një kohë: “Haja qenit/ pija qenit… edhe bjeri karadyzenit”.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA