Prezantohet kandidati për Malësinë e Madhe, Tonin Marinaj

03/05/2015 00:00

Tonin Marinaj, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për bashkinë e Malësisë së Madhe, është prezantuar nga kryeministri Edi Rama.

“Edhe projekti ynë i madh do kohën e vet që të japë rezultatet që ne duam. Por të jeni të sigurtë, dhe këtë nuk e luan topi, që jemi në drejtimin e duhur që i kemi dhënë fund një historie idiotizmi dhe gënjeshtre të kthyer në sistem dhe që ndejti në pushtet për vite të tëra. Është një gjë e turpshme kur thonë “s’keni bërë asnjë rrugë”. S‘kemi bërë asnjë rrugë?! Kemi shlyer deri tani afro 400 milionë dollarë nga borxhet e tyre. Përfytyroni se çfarë do të kishim bërë po t’i kishim 400 milionë dollarë. Përfytyroni se çfarë do të kishim bërë sikur të gjitha këto para të mos ishin borxh. Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë”, deklaroi Rama.

Infrastrukturë rrugore në shërbim të turizmit, transport të besueshëm, furnizim me ujë dhe rregull në mbledhjen e plehrave ishin premtimet e kryeministrit për banorët e kësaj zone.

“Po flisja me Toninin dhe po më thoshte se një nga dëshirat që ai ka për të realizuar në programin për Malësinë e Madhe është një rrugë e re që lidh bashkinë me liqenin dhe që bën një lidhje për këmbësorët, për ata që duan të dalin në liqen, duke shkuar bashkë me familjet, bashkë me shokët, në këmbë, me biçikletë e kështu me radhë. Pra, një rrugë turistike, faktikisht. Unë kam vërtet shumë dëshirë që së bashku të bëjmë disa gjëra të rëndësishme për Malësinë e Madhe, të bëjmë ca punë të rëndësishme që të mbeten si gurë themeli për gjeneratën tjetër dhe fëmijët e kësaj zone dhe të ndihmojmë realisht me projekte serioze gjithë komunitetin”, tha Rama.

Ai dha edhe një apel përse Malësia e Madhe duhet  të votojnë Tonin Marinajn. “Vota për Toninin nuk është një votë që do t’ia kërkoja socialistëve dhe demokratëve, por është një votë që do t’ua kërkoja malësorëve. Të cilët kanë një detyrë që është shumë më e lartë se detyra ndaj partisë. Kanë detyrën që ta çojnë Malësinë e Madhe në drejtimin e duhur. Nëse partia e tyre është në rrugë të gabuar, nuk mund ta marrin dhe Malësinë e ta çojnë në rrugë e partisë së tyre. Deri kur partia e tyre të kthehet në rrugën e duhur, Malësia e Madhe duhet të ketë vazhduar në rrugën e duhur. Kjo është detyra e malësorëve dhe malësoreve”, tha Rama.

Ndërsa në Gruemirë të Malësisë së Madhe, kryeministri pa edhe ujësjellësin e rindërtuar, falë të cilit kapaciteti i shpërndarjes së ujit është 8-fishuar.

“Më parë, nga 4 mijë metra kub që ka pasur kapacitetin e plotë furnizimi shkonte deri në 500 metër kub dhe me ujë furnizohej vetëm zona poshtë, me 2 mijë banorë. Ndërsa aktualisht me kapacitetet e sotme furnizohen 20 mijë banorë. Kemi furnizuar gjithashtu edhe një pjesë të komunës Rrethinaj, e cila ka 32 mijë banorë. Pra, tetëfishohet sasia e ujit”, tha Rama.

Top Channel