Basha në Lezhë, prezanton Frrokajn

03/05/2015 00:00

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, akuzoi në Lezhë dyshen Rama-Meta se e kanë zhytur vendin në mjerim. Ndaj, sipas tij, në 21 Qershor i duhet dhënë një mësim i mirë kesaj keqqeverisjeje.

“Kanë rritur taksat, çmimin e energjisë, çmimin e karburantit, kanë hequr me mijëra njerëz nga puna pa të drejtë, ndërsa mijëra të tjerë i kanë hedhur në mes të rrugëve duke u mbyllur bizneset, duke ua bërë të pamundur ekzistencën, duke i shtyrë drejt dëshpërimit”, tha kreu i opozitës.

Basha theksoi se drama të mëdha kanë shkaktuar e po shkaktojnë ditë për ditë dyshja Rama-Meta me papërgjegjësinë dhe korrupsionin e tyre, duke e kthyer prapa Lezhën dhe Shqipërinë: “21 Qershori do të jetë dita juaj, dita jonë për të flakur tutje këtë poshtërim, do të jetë dita jonë, do të jetë dita juaj për t’i thënë jo kthimit prapa, për t’i thënë jo politikës së taksave të larta, çmimeve të larta, papunësisë, arbitraritetit, arrogancës. Do të jetë dita juaj për të vendosur Bashkinë e Lezhës në duart e lezhianëve. Ata që rritën taksat, ata që futën duart thellë në xhepat tuaj dhe baballarëve e nënave tuaj, çfarë bënë me këto para?”

Duke prezantuar kandidatin e së djathtës për bashkinë e këtij qyteti, Fran Frrokaj, Basha i ftoi qytetarët që të votojnë ofertën e re të Partisë Demokratike.

“Në këtë përbashkim të madh e të paduruar sot, le të ftojmë këdo, çdo lezhiane e lezhian, pavarësisht ngjyrave politike, që e do kryeqendrën e bashkisë së ardhshme për Lezhën e për lezhianët, që e do qeverisjen e Lezhës nga Lezha, çdokush që e di se hallet mund e duhet t’i zgjidhë me atë që përfaqësojnë Lezhën e lezhianët, këtu në Lezhë, pavarësisht prej bindjeve politike, çdokush që refuzon regjimin, nënshtrimin dhe qeverisjen nga Gjiri i Lalzit, le të bashkohet me ne, me votën e 21 Qershorit, me Fran Frrokaj dhe me PD-në”, theksoi Basha.

Top Channel