Nga Mirjan Topi – Përgjatë një çerekshekulli mjedisi natyror në Shqipëri, i mbetur si një mall pa Zot, është gjymtuar si mos më keq në të gjitha format dhe përmasat përfshirë këtu shkatërrimin e habitateve dhe ekosistemeve, persekutimin e faunës dhe ndotjen kimike e peizazhere të shumë resurseve natyrore.
Gjymtim i cili fatkeqësisht vazhdon të ndodhë edhe sot, kur mendojmë ndërtimin pa kriter të hidrocentraleve, ndërtimet zaptuese në zonat me vlera më të larta natyrore, si dhe një seri formash të tjera të paqëndrueshme të zhvillimit dhe menaxhimit të mjedisit. Dhe përballë kësaj “shfaqjeje”, në një farë mënyre kemi qenë spektatorë pothuajse të gjithë. Po ashtu, sikurse kemi qenë shpërfillës madje dhe duartrokitës.
Të gjithë kemi parë të paktën një herë arinj në kafaz, nëpër restorante e mjedise të ngjashme, të cilat shpesh i kemi zgjedhur pikërisht nga prania e tyre. Mbajtja e arinjve dhe kafshëve të tjera në kushtet e pakontrolluara në kaptivitet është një ndër format më mizore të persekutimit të jetës së egër.
Ky fenomen që filloi në zona të izoluara të Shqipërisë, u përhap me shpejtësi si një epidemi në të gjithë vendin, duke filluar nga zemra e kryeqytetit e deri në zonat më të thella. Rezultatet e një vëzhgimi realizuar nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, tregojnë se një numër prej rreth 50 arinjsh të gjallë mbahen nëpër kafaze në të gjithë vendin. Dhe e gjitha kjo, në një vend si Shqipëria, ku popullata totale e arinjve në natyrë përllogaritet të jetë rreth 250 individë.
Thënë më konkretisht, një në gjashtë arinj në Shqipëri mbahet në kafaz. Më tej, nëse do të marrim në konsideratë numrin e arinjve të balsamosur ose lëkurat e tyre të varura triumfalisht nëpër muret e restoranteve dhe mjediseve të tjera si këto, sigurisht që shifrat rriten në nivele “ulëritëse”.
Por fenomeni i mbajtjes së llojeve të egra në kaptivitet nuk prek vetëm ariun e murrmë, por edhe shumë kafshë të tjera dhe shpendë, duke filluar nga ato më të zakonshmet e deri tek ato më të rrallat, të kërcënuara në mënyrë kritike për zhdukje si: rrëqebulli i Ballkanit, shqiponja e malit, bufi, fazani etj. Pa dashur të zgjatem në këtë pikë, pasi është një problem i diskutuar, do të doja vetëm të përmend kushtet e kopshtit zoologjik të Tiranës që shfaqin një formë “tiranie” të trajtimit dhe mbajtjes së kafshëve në kaptivitet.
Një mënyrë tjetër e persekutimit të kafshëve dhe shpendëve është edhe gjuetia e tyre për motiv balsamosjen dhe më tej ekspozimin në mjediset e lartpërmendura. Gjatë punës së vazhdueshme në terren në zona të ndryshme të Shqipërisë, jo pak herë më ka rënë rasti të shoh “muze natyre” brenda restoranteve të ndryshme.
Është shtangës numri i madh i llojeve të balsamosura dhe të ekspozuara në këto mjedise, sërish duke filluar nga ato më të zakonshmet deri te më të rrallat. Për sa iu përket shpendëve, lloji më i kërkuar dhe paguar për “dekorimin” e këtyre mjediseve është shqiponja e malit, vetë simboli ynë kombëtar dhe në të njëjtën kohë një lloj tepër i rrallë dhe i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje. Por edhe kjo lidhje e fortë simbolike nuk ka mundur ta shpëtojë dot Shqiponjën e malit nga Shqiptarët.
Gjuetia e paligjshme dhe pa kriter ka qene aksioni kryesor i shfarosjes së faunës. Në Shqipëri përllogaritet të jetë dhënë një numër total prej 150 mijë lejesh për armë gjahu. Nëse bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, duke marrë në konsideratë numrin total të popullsisë së vendit tonë, rezulton se një në gjashtë meshkuj shqiptarë nga mosha 20 deri në moshën 64 vjeç zotëron armë gjahu.
Këto shifra e bëjnë Shqipërinë një prej vendeve të para në Europë për sa i përket numrit të gjuetarëve (të ligjshëm dhe të paligjshëm) në raport me numrin e popullsisë dhe nëse përfshijmë këtu si variabël edhe sipërfaqen e lejueshme për gjueti, me shumë gjasë Shqipëria mund të zërë vendin e parë në Europë për këtë fenomen.
Nëse do të analizojmë mënyrën normale dhe të qëndrueshme të përdorimit dhe shijimit të natyrës dhe sërish të krahasohemi me vendet e zhvilluara të botës, fatkeqësisht ndodhemi të fundit në listë. Ne fakt është ironike: “Të parët për të keqen dhe të fundit për të mirën”. Për të qenë më konkret, nëse do të ngremë pyetjen: sa shqiptarë praktikojnë sportet natyrore si ecja në natyrë (hiking), eksplorimin e natyrës, alpinizmin, skitë, sportet e ujit, kundrimin e shpendëve etj?
Nga bisedat që kam pasur me organizatorët e këtyre tureve, kam mësuar se shumica dërrmuese e kontingjentit që praktikon këto lloj sportesh apo turizmi në Shqipëri janë qytetarë të huaj, të cilët përshkruajnë qindra kilometra për të ecur disa kilometra në natyrën tonë (në ato zona që nuk kanë pasur fatin e Parkut Kombëtar të Lurës).
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numërohen rreth 46.7 milionë kundrues shpendësh. Sa të tillë numërohen në Shqipëri? Ose më mirë sa të tillë e kanë dëgjuar këtë term apo mendojnë se kundrimi i shpendëve mund të jetë një aktivitet argëtues, sportiv dhe turistik? Shumë pak, për të mos thënë askush. Në të njëjtën kohë, në SHBA, në një sezon të vetëm të vitit numërohen rreth 38 milionë shëtitës në natyrë. Sa të tillë janë në Shqipëri? Sërish shumë pak.
Me keqardhje mund të thuhet se ne shqiptarët ende nuk dimë (sepse nuk na i ka mësuar kush) të shijojmë thesaret dhuratë të natyrës sonë, duke ndjekur shumë shpesh rrugën e gabuar që në nivel afatgjatë ndikon për keq nivelin e jetesës të secilit prej nesh.
Përse ndodh kështu? A thua që ne shqiptarët të jemi në thelb kaq rebelë ndaj natyrës, kaq mizorë ndaj kafshëve, kaq të pandërgjegjshëm kundrejt vetvetes dhe kaq mospërfillës kundrejt të keqes? Kurrë! Atëherë pse ndodh e gjitha kjo? Sigurisht që arsyeja nuk është një dhe e vetme, por një grup arsyesh të ndryshme. Një ndër më kryesoret është çështja e mungesës së theksuar të edukimit efikas mjedisor.
Kjo tregohet nga fakti që pothuajse të gjithë ne jemi frekuentues dhe kundrues të këtyre “muze natyre – restorant”, duke mos perceptuar se ka diçka që nuk shkon te këto mjedise. Absolutisht, në të njëjtën pozitë janë edhe shumica e zotëruesve të këtyre mjediseve. Sa prej atyre që frekuentojnë këto vende shërbimi janë të informuar që ariu i murrmë, rrëqebulli, shqiponja e malit, fazani, pelikani kaçurrel, bufi etj., janë lloje shumë të rralla dhe gjuetia e tyre është rreptësishtë e ndaluar me ligj? Jam i sigurt që shumë pak.
Veçanërisht fëmijët, të cilët bien padrejtësisht viktimë e këtij mjedisi argëtues për ta, i cili është ngritur në formë të paligjshme dhe mizore, pasi për çdo ari apo kafshë tjetër që ndodhet në kafaz është vrarë nëna e tij, kjo për shkak se kafshët e rritura është e pamundur të kapen të gjalla. Në të njëjtën kohë, pa e kuptuar edukojmë edhe fëmijët (brezat) me shpërfilljen kundrejt kësaj të keqeje dhe “kulturën” e mosrespektit dhe nënvlerësimit ndaj jetës së egër dhe natyrës.
Nëse vazhdon kështu, ose nëse nuk ndryshon aq shpejt sa duhet, kjo situatë sigurisht që do të shoqërohet me pasoja të konsiderueshme sociale dhe ekonomike për vendin në nivel afatgjatë, duke e bërë të ardhmen tonë më të vështirë. Sot dihet botërisht që turizmi natyror po kthehet në një industri pararojë të zhvillimit ekonomik, turizëm për të cilin Shqipëria ofron mundësi të shkëlqyera.
Prandaj qeveria shqiptare në veçanti duhet t’i kushtojë rëndësi të madhe përfshirjes së edukimit efektiv mjedisor në të gjithë sistemin tonë arsimor (dhe sigurisht më tej duhet t’i mëshojë zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit natyror nëpërmjet politikave të tjera). Vitet e fundit, fatmirësisht janë bërë përpjekje për përfshirjen e kësaj fushe në kurrikula, madje janë hartuar edhe tekste për këtë qëllim. Gjithsesi këto përpjekje janë tepër të zbehta në krahasim me nivelin e domosdoshmërisë.
Gjithçka (tekstet, metodat) ka nevojë të padiskutueshme të përmirësohet ndjeshëm, në mënyrë që të rritet efikasiteti i transmetimit të informacionit dhe rrjedhimisht të fillojë të shërohet kultura e respektit ndaj natyrës dhe mjedisit. Ruhet më shumë diçka kur dihet se është e shtrenjtë dhe e rëndësishme.
Top Channel