Rasti i Freddie Gray, avokati i 6 oficerëve hedh poshtë akuzën

02/05/2015 00:00

Një avokat, i cili përfaqëson 6 oficerët e policisë në Baltimore, të akuzuar për rastin e të riut Freddie Gray, ka deklaruar se ata nuk bënë asgjë të gabuar.

Avokati Michael Davey deklaroi se gjatë gjithë kohës oficerët vepruan në mënyrë të arsyeshme dhe në përputhje me stërvitjen e tyre.

Më herët, prokurorja e shtetit të Baltimores, Marilyn Mosby kishte deklaruar se vdekja e 25-vjeçarit me ngjyrë kishte qenë një vrasje dhe arrestimi i tij i paligjshëm.

Por, duke folur për gazetarët, zoti Davey akuzoi prokuroren Mosby për një “gjykim skandaloz dhe të nxituar”.

“Teksa të gjitha aspektet e kësaj ngjarjeje po dalin në dritë, fakti që oficerët nuk bënë asgjë të gabuar do të duket qartë shumë shpejt”, deklaroi avokati i agjentëve.

Vdekja e Gray shkaktoi protesta të dhunshme në shtetin në fjalë, por pas ngritjes së akuzave ndaj 6 oficerëve, në të gjithë Baltimoren nisën festimet.

Udhëtarët u binin borive të automjeteve të tyre, ndërsa njerëzit mbushën rrugët duke ngritur duart lart në shenjë triumfi.

“Këto akuza janë një hap i rëndësishëm në vendosjen e drejtësisë për Freddie”, deklaroi Richard Shipley, një i afërm i të riut të ndjerë.

Më pas, festimet në rrugë u kthyen në një manifestim të vogël, me pjesëmarrësit që bënin thirrje për lirimin e personave të arrestuar pas protestave të së hënës.

Policia deklaroi se 53 persona u ndaluan ditën e premte, disa prej të cilëve për shkelje të armëpushimit të vendosur në orën 22:00, që është ende në fuqi.

Top Channel