Nepal, zhduken shanset për të mbijetuar të tjerë

02/05/2015 00:00

Autoritetet në Nepal kanë përjashtuar mundësinë e gjetjes së të mbijetuarve të tjerë nga tërmeti i së shtunës së kaluar, teksa numri i viktimave ka arritur në 6621.

“Ne po japim maksimumin me përpjekjet për lehtësimin e situatës, por tani mendoj se nuk ka më shanse për të mbijetuar nën rrënoja”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Laxmi Prasad Dhakal për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Autoritetet nepaleze deklaruan se 14 mijë e 21 persona është ndërkohë bilanci i të plagosurve, ndërsa fati i mijëra banorëve në zonat e largëta të vendit mbetet i paqartë.

Ditën e premte, e dërguara e BE në Nepal, Rensje Teerink deklaroi se autoritetet nuk kishin asnjë dijeni për vendndodhjen e rreth 1 mijë shtetasve europianë.

Bilanci i viktimave të tragjedisë mund të rritet teksa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në rajone të ndryshme të vendit, si Dhading, Rasua, etj, deklaroi një zyrtar lokal.

Më herët, gjatë së premtes vendi aziatik bëri thirrje për më shumë ndihmë humanitare nga jashtë, duke pranuar se nuk ishte i përgatitur për një tragjedi të përmasave të tillë.

Ministri i Informacionit, Minendra Rijal tha për BBC se “seminaret dhe seancat dëgjimore nuk janë edhe aq të nevojshme në një krizë të tillë”.

Ndërkohë, moti i keq dhe rrëshqitjet e tokës kanë penguar përpjekjet për shpërndarjen e ndihmave në rajonet e izoluara.

“Thuajse çdo shtëpi në fshatin tim është e shkatërruar dhe 20 vetë kanë vdekur”, ka thënë për agjencinë AFP një banor i lokalitetit Melamçi, në veri-lindje të Katmandusë.

Top Channel