Kosova takohet me biznesin: Mbështetje nismave që nxisin punësimin

02/05/2015 00:00

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me përfaqësues të bizneseve të vogla që kanë përfituar nga programi mbështetës i bashkisë, ku shprehu gadishmërinë e tij për të mbështetur nisma të tilla që krijojnë vende të reja pune.

 

Halim Kosova tha se nisma të tilla do të mbështeten e do të shtrihen edhe më shumë.

“Çdo projekt që ka dhënë frutet e veta, që ato kanë qënë të prekshme si në drejtim të punësimit apo në sektorë të tjerë të qytetit, do të jenë prioritet për t’u shumëfishuar dhe për t’u vazhduar më tej”.

Kosova u shpreh se do të garantojë një qeverisje me standarde të Tiranës.

“Njëherë në 3 muaj të mblidhemi dhe të diskutojmë  së bashku çfarë problemesh ka. Ku ka ngecur puna? Ku duhet rregulluar? Çfarë problemesh burokratike ju kanë vonuar? Ku ju sorrollasin më shumë? Vërtetë çdo punonjës bashkie është përkrah jush apo apo ka ndonjë që ju vendos gurë në rrota?! Që ju pengon, që ju sorollat, që ju vendos gjoba pse jo?! Me këtë lloj syri kritik ose bashkëpunimi ne do ta shikojmë punën tonë në bashkinë e ardhshme”- shtoi ai Kosova.

Kandidati për kryebashkiak deklaroi se Bashkia do të jetë gjithnjë e gatshme për të ofruar lehtësi e mbështetje për nismat e sipërmarrjet e qytetarëve.

“T’i japësh dorën atij që do të ecë në jetë më duket shumë e mirë dhe jam i sigurtë që ky fond nuk do të jetë më 5 milionë, por do të jetë shumë më tepër” – theksoi kandidati i demokratëve.

Top Channel