Ylli Polovina – Ka qenë një plan përherë aktiv i qeverive kohëshkuara, të dy dekadave të para të shekullit të mëparshëm, atyre jugosllave dhe greke, që shtatit të cunguar të Shqipërisë së miratuar prej fuqive të mëdha më 1913-n, t’i bënin edhe një gjymtim tjetër.
Ky, po të realizohej, ka të ngjarë të ishte më monstruozja intrigë në të tërë historinë e Europës.
Plani ishte i tillë: duke ua lënë veriun e tokave shqiptare Beogradit dhe jugun Athinës, hapësira në mes, ajo përreth lumit Shkumbin, nga Berati deri në Krujë, do të shpallej si shtet mysliman.
Kjo lloj Shqipërie, kuptohet, pa asnjë territor dhe burim ekonomik e njerëzor të të mjaftueshëm për të qenë e pavarur, ashtu siç edhe rrodhën ngjarjet më pas, në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë asaj të Ftohtë, pas rënies së Murit të Berlinit e deri tani, kur dallga e ekstremizmit ultraradikal mysliman po kërcënon anë e kënd botën, do të ishte shndërruar në problemin më famëkeq të Europës.
Plasdarmë islamikësh, ne do të ishim gjithë kohës në shenjë të shqetësimit të Perëndimit, për pasojë edhe të goditjeve të tij. Po ashtu, krahu i politizuar i ortodoksisë sllave që nga Beogradi në Moskë, mbi të gjitha për nevoja të shteteve të tyre që të kenë dalje në Adriatik, do ta acaronin edhe më shumë gjendjen e përplasjes gjeopolitike. Të mbyllur në këtë minishtet (qe parashikuar si principatë) do të jetonim të destabilizuar pa pushim dhe pa u mëkëmbur kurrë.
Kemi më shumë se një arsye përse po e trajtojmë një të tillë temë këtë çast, përse po e nxjerrim në vëmendje të lexuesit pikërisht këto ditë. Po paraqesim më pak kryesoren: një e përditshme, në një vend jo shumë të dukshëm të faqeve të saj, botoi një lajm, sipas të cilit Fatos Klosi ishte parë më 25 prill në Mallakastër në prani të dy politikanëve të majtë, përfaqësues partish aleate me “rozët” në qeverisje. Sipas atij informimi, ish-shefi i shërbimit të fshehtë civil shqiptar ndodhej atje, sepse do të angazhohej në fushatë elektorale.
Klosi, njihet kjo cilësi e tij, nuk rri dot pa u marrë me politikë, por prej një rrethane takimi me të morëm vesh se në Mallakastër motiv kryesor vajtja e tij kishte një gjë shumë më të virtytshme se rutina e angazhimit zgjedhor. Prania në krahinën e sipërpërmendur, vendlindja e të parëve të vet, kishte të bënte me një ngjarje historike: qe njëqindvjetori i rënies për atdhe dhe për flamurin kuqezi i Ismail Klosit, gjyshit të tij.
Ngjarjen përkujtimore po e organizonte shkolla vendase që mban emrin e këtij Dëshmori të Kombit.
Ndërkohë, mallakastrioti Ismail Klosi dhe familja e tij kanë jetuar për shumë kohë në Berat. Në Berat Ismaili dha edhe jetën, u bë aty dëshmor. Po ashtu në këtë qytet ka eshtrat. Ka edhe një lapidar të madh, bashkë me tre therorë të tjerë të rënë për mëmëdhenë: Muharrem Lleshin, Baki Gjebrean dhe Hajredin Fratarin.
Beratasit ka një shekull dhe pothuaj katër breza që i nderojnë, pa i harruar kurrë. Nuk ka shtëpi të tyre që të mos ketë, që nga stërgjyshi, të paktën një foto të bërë tek ai lapidar.
Pse ka ndodhur kjo mund të lypte një libër të tërë, por kryesorja, më e vyera e shembullit të këtyre katër dëshmorëve, është se ata e dhanë jetën për të mbrojtur projektin e Shqipërisë së përshkruar prej Sami Frashërit dhe të shpallur në Vlorë nga Ismail Qemali e shokët e tij, duke iu kundërvënë me fjalë dhe me pushkë instalimit të një modeli shteti islamik.
Nga emrat e katër dëshmorëve, lexuesi e kupton menjëherë se që të gjithë qenë të besimit mysliman. Kjo e bën tepër më kuptimplotë dhe më të çmuar për historinë e vendit tonë, të Ballkanit dhe do të guxonim, edhe të të gjithë Europës së bashkuar, si vetë populli shqiptar e ka shkatërruar që në embrion, vetë, me forcat e tij, këtë tentativë. Madje në momentin më të brishtë të ekzistencës së vet.
Për fat të keq, librat e historisë, për një mijë arsye që tashmë janë ngjizur e bërë masë e pazbërthyeshme, asaj që ka ndodhur nëpër muaj të ndryshëm të viteve 1914 dhe 1915 ose i ka dhënë, për shkak të presionit të pushtetit politik, një interpretim censurues ose e ka lënë të mënjanuar dhe jashtë vëmendjes së opinionit tonë publik. Siç dihet në këtë histori analize u pleks edhe vetë Enver Hoxha, i cili lëvizjen haxhiqamiliste të Shqipërisë së Mesme e konsideroi pozitivisht si gjest proteste klasore ndaj feudalëve dhe për rrjedhojë autorë të ndikuar prej tij, një kurdisje tjetër paralele të ngjarjeve, lëvizjen e Musa Qazimit, duke e dënuar si antikombëtare, gjithsesi ia zbutën emërtimin. I thanë thjesht se qe turkomane. “Historia e Shqipërisë”, pjesa III, botim i vitit 1984, përdor vetëm termat “krerët turkomanë”, “grupet borgjeze e klerikale turkomane” apo “përdorën parulla turkomane e fetare”.
Përpjekja radikalisht islamizuese për shtetin e porsapavarësuar shqiptar nisi në maj 1914. Ajo qe e armatosur. U drejtua nga Partia e Itihadit (Bashkimi Osman). Kjo lëvizje, me në krye myftiun e Tiranës, Musa Qazimin, si edhe disa të tjerë, u quajt “Ehlil Kijami” (“Populli Kryengritës”).
Në platformën e bërë publike në kongresin e saj të mbajtur në Krujë më 29 maj 1914, armik për t’u asgjësuar fizikisht shpalli qeverinë shqiptare të Princ Vidit. Ajo dënohej me vdekje se qe e krishterë europiane. Pjesëmarrësit në kryengritje për një Shqipëri islamike e quanin veten turq dhe gjithë bashkëkombësit e tjerë si qafirë (të pabesë), dinsëza, maskarenj dhe të poshtër.
Nga maji deri në gusht 1914 “Ehlil Kijami” pushtoi Tiranën, Elbasanin, Pogradecin, Kavajën, Lushnjën, Beratin, në fundgusht edhe Vlorën. Këtu veprimi i parë që bënë, ishte heqja e flamurit kuqezi. Për ta gjesti qe dukshëm simbolik: flamuri i Ismail Qemalit u rrëzua atje ku ishte ngritur.
Konsiderohej flamur i krishterimit.
Pastaj ngritën flamurin e Kalifatit Islam.
“Ehlil Kijami” Durrësin e pushtoi më 5 shtator 1914. Dy mijë islamikë, të prirë nga hoxhallarë e myftilerë, mësynë pallatin e braktisur të Vidit dhe Musa Qazimi pikërisht në atë ndërtesë, sërish për ta shndërruar në simbol të prishjes së Shqipërisë europiane, ngriti flamurin e Kalifatit.
E tërë kjo ngrehinë shteti radikal islamik, që do të prishej dhe ringrihej për fare pak kohë edhe në vitin 1915, do të thërrmohej. Në luftime për të mbrojtur flamurin e kuq me shqiponjë të zezë në mes, si edhe modelin rilindës të shtetit shqiptar, ranë shumë dëshmorë. Vetëm nga batalioni i Kolonjës i dërguar në Pogradec dhanë jetën gjashtëdhjetë luftëtarë, mes tyre, me një vdekje legjendare, edhe djali i madh i Sali Butkës, Ganiu.
Në Berat, siç edhe më parë në këtë shkrim e përmendëm, mes të tjerëve ranë edhe katër dëshmorët, të cilët populli i qytetit, që më 29 nëntor 1935 i ka mbledhur bashkë te lapidari i tyre.
Vendimi i dënimit me vdekje me pushkatim i Baki Gjebresë (xhaxhait të Ramize Gjebresë), i Ismail Klosit dhe Hajredin Fratarit, i datuar 25 prill 1915, thotë se ata i kishin “shërbyer mendimit të Ismail Qemal Bej Vlorës, duke u përpjekur pa reshtur për sigurimin e indipendencës së Qeverisë së Vidit”.
Vrasja e tyre u bë të nesërmen në mëngjes, në prani të Musa Qazimit.
I qëlluan me mitraloz.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel