“Heronjtë” e mbijetesës së tërmeteve

01/05/2015 00:00

Një foshnje mbijetoi për 22 orë; një 15-vjeçar u nxorr nga rrënojat e një godine të shkatërruar nga tërmeti i fuqishëm i Nepalit, pasi kishte kaluar plot 5 ditë i bllokuar poshtë. Por, për sa kohë mund të jetojë një njeri nën gërmadha?

Zakonisht, Kombet e Bashkuara i pezullojnë operacionet e kërkim-shpëtimit 5 deri në 7 ditë pas fatkeqësisë, nëse në krye të dy ditëve nuk gjendet më askush i gjallë. Por ka pasur raste, që njerëzit kanë mbijetuar edhe më shumë se aq.

Majin e 2013-s, një grua u nxorr nga gërmadhat e një fabrike në Bangladesh, 17 ditë pas shembjes së godinës. Punonjësit në terren dëgjuan thirrjet e dobëta të saj për ndihmë, e përdorën pajisjet gjurmuese me video e audio për t’i përcaktuar pozicionin e saktë.

Në vazhdën e tërmetit shkatërrimtar të Haitit, Janarin e vitit 2010, pakkush mund të mendonte se 12 ditë më vonë do të gjendeshin ende të mbijetuar. Por ndodhi pikërisht kështu. Kaq ishin ditët që kaloi një burrë në rrënojat e dyqanit ku punonte, i cili përveç të tjerash, edhe ishte grabitur vazhdimisht.

Prej katastrofës natyrore humbën jetën asokohe të paktën 200.000 vetë. Por rasti më i çuditshëm nga të gjithë është ai i një 40-vjeçareje të shpëtuar Dhjetorin e 2005-s, nga ajo çfarë kishte mbetur prej kuzhinës së saj, dy muaj pasi zona e Kashmirit të administruar nga Pakistanit u godit nga një tërmet i fuqishëm.

Mjekët e pranuan edhe vetë, se mbijetesa e Naqsha Bibi në një hapësirë aq të vogël, ku ishte e pamundur të lëvizje, nuk mund të cilësohet ndryshe përveç se mrekulli. Gruaja kishte arritur të qëndronte në jetë për 63 ditë, falë ushqimeve të kalbura që kishte pranë dhe ujit të shiut.

Top Channel