Gjermania ndihmoi SHBA për të përgjuar Francën

30/04/2015 00:00

Shërbimi gjerman i inteligjencës, BND, ka përgjuar zyrtarët më të lartë francezë dhe selinë e Parlamentit Evropian me kërkesë të kolegëve nga Shtetet e Bashkuara.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat gjermane, sipas të cilave një raport i BND-së tregon se stacioni i agjencisë në Bad Aibling ka përgjuar pallatin presidencial të Francës, Ministrinë e Jashtme të këtij vendit dhe Komisionin Evropian.

Nga ana tjetër, Agjencia e Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara ka përgjuar disa kompani evropiane, vijojnë burimet mediatike.

Ndërkohë, ministri gjerman i Brendshëm, Thomas de Maiziere ka mohuar lajmet për një përgjim të fshehtë.

Raportohet se BND ka mbledhur informacione mbi disa firma evropiane në Uashington, për të kontrolluar nëse ato kanë shkelur embargot e tregtisë.

Sipas mediave, agjencia gjermane nuk vuri nën kontroll zyrtarë gjermanë dhe amerikanë, në bazë të një marrëveshje të nënshkruar mes BND-së dhe NSA-së në vitin 2002, që parashikonte mbrojtjen e tyre.

Megjithatë rezulton se qeveria gjermane ishte në dijeni të përgjimeve të NSA-së ndaj kompanive evropiane të armëve që prej vitit 2008.

Ministri De Maiziere mohon të ketë pasur dijeni për një keqpërdorim nga ana e shërbimeve sekrete, por i ka bërë thirrje seksionit të brendshëm të BND-së që të jetë i pranishëm në komitetin parlamentar sa më shpejt të jetë e mundur.

Shkalla e lartë e përgjimeve të NSA-së në Evropë, përfshirë këtu operacionet e përbashkëta të saj me agjencinë britanike GCHQ, u zbulua në vitin 2013 nga ish-agjenti amerikan, Edward Snowden.

Top Channel