SHBA, bilanci i protestave të dhunshme në Baltimore

29/04/2015 00:00

Nëntëmbëdhjetë ndërtesa të përfshira në flakë dhe 144 makina të shkatërruara, dhjetëra të plagosur, 200 të arrestuar, dyqane të sulmuara, shkolla të mbyllura, ky është bilanci i ditës së dhunshme në Baltimore të Shteteve të Bashkuara.

Trazirat nisën pak pas funeralit të 25-vjeçarit afro-amerikan, Freddie Gray. I riu vdiq pas një jave në koma nga një dëmtim ende i pashpjegueshëm i shtyllës kurrizore, gjatë kohës që ndodhej nën arrest policor në fillim të muajit.

Kryetarja e bashkisë Stefani Blake u shpreh se trazirat i mbyllën rrugën progresit të shumëkërkuar nga ta: “Ajo që ndodhi është se u shkatërrua gjithçka për të cilën kishim punuar dhe investuar shumë nga vetja, kjo ishte një ditë shumë e zymtë për në”.

Guvernatori i Shtetit Maryland, Larry Hogan, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe aktivizoi 5.000 ushtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar në rivendosjen e rendit.

Trazirat pasojnë një shpërthim protestash në të gjithë vendin për vrasjet e njerëzve me ngjyrë që ky komunitet pretendon se janë bërë qëllimisht nga efektivët e policisë si shprehje e hapur e racizmit.

Në mesin e viktimave të fundit janë Michael Braun, Erik Garner dhe Valter Scot, tre të rinj këta afrikano-amerikanë.

Ndërsa për rastin e fundit që shërbeu si shkëndija në Baltimore, 6 efektivë policie janë pezulluar si të përfshirë në episodin ende të pazbardhur të vdekjes së 25-vjeçarit. Më herët Presidenti Barak Obama shprehu gatishmërinë e administratës së tij për t’i ofruar autoriteteve në Baltimore çfarëdolloj ndihme që mund t’u nevojitet.

Vdekja e 25 vjeçarit është edhe një nga incidentet më të fundit që ngrenë pikëpyetje lidhur mbi bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve dhe policisë në Shtetet e Bashkuara. Ajo çka i mbetet banoreve të qytetit është rimëkëmbja e gjithçkaje që u shkatërrua në zemërim e sipër.

Top Channel