OKB, keqardhje për ekzekutimet në Indonezi

29/04/2015 00:00

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka shprehur “keqardhjen e thellë” të tij lidhur me ekzekutimin e 8 personave në Indonezi për trafik droge.

Shtatë shtetas të huaj dhe një vendas u ekzekutuan nga një grup pushkatimi ditën e martë, duke shkaktuar një ciklon diplomatik.

Në një deklaratë për shtyp, Ban tha se, dënimi me vdekje nuk ka vend në shekullin e 21-të dhe i bëri thirrje Indonezisë që të falë të gjithë të burgosurit e tjerë që i pret dënimi kapital.

Nga ana e saj, Indonezia prej kohësh ka mbrojtur veprimet e saj, duke i cilësuar si pjesë të “luftës kundër drogës”.

“Ekzekutimi nuk bëhet me kënaqësi, nuk bëhet për qejf. Por ne duhet ta bëjmë atë për të shpëtuar vendin nga rreziku i drogërave”, deklaroi prokurori i përgjithshëm i Indonezisë, Prasetyo.

Mes personave të ekzekutuar ishin dy shtetas australianë, Andrew Chan dhe Myuran Sukumaran, si dhe braziliani Rodrigo Gularte, të gjithë të dënuar për trafik droge.

Australia, një aleate kyçe e Indonezisë, ka tërhequr ambasadorin e saj në këtë vend në shenjë proteste.

Të mërkurën, kryeministri Tony Abbott e etiketoi trajtimin e shtetasve australianë si “mizor dhe të panevojshëm”, ndërsa i cilësoi në një “fazë të errët” marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne e respektojmë sovranitetin e Indonezisë, por e dënojmë atë që është bërë dhe kjo nuk mund të trajtohet si diçka e zakonshme.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe qeveria e Brazilit, e cila deklaroi se ekzekutimi i shtetasit të saj, i diagnostikuar me probleme të rënda mendore, përbën një “event serioz” në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Top Channel