Bojaxhi dorëzon firmat në KQZ, kandidati i pavarur mbështetet nga 13.668 persona

29/04/2015 00:00

Gjergj Bojaxhi ka dorëzuar këtë të mërkurë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve 13 mijë e 668 firma, dy herë më shumë nga sa kërkon ligji, për regjistrimin si kandidat i pavarur për Bashkinë e kryeqytetit në zgjedhjet e 21 qershorit.

I shoqëruar nga grupimi “Ne, Tirana”, Bojaxhi falenderoi qytetarët e Tiranës që përmes firmës së tyre shprehën mbështetjen për kandidimin e tij për bashkinë me të madhe të vendit.

“Desha të falenderoj me mijëra qytetarë që na kanë mbështetur me firmat e tyre publike për këtë projekt, që do jetë shembull jo vetëm për Tiranën, por të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Bojaxhi.

Gjergj Bojaxhi është kandidatura e parë që bëri publike ambicjen elektorale për të garuar më 21 qershor për bashkinë e kryeqytetit.

Ish-drejtori i Koorporatës Elektro Energjitike Shqiptare, i larguar nga Partia Demokratike vite më parë pasi shprehu pakënaqësi lidhur me mënyrën e funksionimit të kësaj force politike, do të ketë përballë më 21 qershor kandidatët rivalë të maxhorancës Erjon Veliaj dhe opozitës, Halim Kosova. Kandidatë të tjerë të pavarur që kanë shprehur ambicjen për bashkinë e kryeqytetit janë Arben Tafaj dhe Sazan Guri.

Top Channel