Vritet me armë zjarri një polic e plagosen dy të tjerë në Bosnjë

28/04/2015 00:00

Një person i armatosur ka sulmuar një stacion policie në qytetin e Zvornikut në Bosnjë, duke vrarë një polic e duke plagosur dy të tjerë para se të qëllohej për vdekje.

Sipas një zëdhënësi të policisë, personi i armatosur që hapi zjarr, thirri “Allahu Ekber” para se të qëllonte. Autori është identifikuar si Nerdin Ibriç, nga një fshat afër zonës ku ndodhi sulmi.

Zvorniku është një qytet në pjesën serbe të Bosnjës dhe shtrihet afër kufirit me Serbinë. Para luftës së viteve 1992-95, mbi 60 për qind e popullatës përbëhej nga myslimanët boshnjakë. Pothuajse të gjithë ishin dëbuar dhe shumë ishin vrarë gjatë fushatës së serbëve për të krijuar një zonë të pastër serbe.

“Ky është sulmi më i rëndë terrorist në Republikën Serbe”, tha ministri i policisë në Republikën Serbe, Dragan Lukaç.

Ndërkohë, mjekët konfirmuan se fatmirësisht dy policët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas “Associated Press”, sulmi është dënuar edhe nga Imami i xhamisë në Zvornik, Mustafa Muharemoviç.

Policia tha se shërbimet e zbulimit kishin informacione të paqarta në lidhje me një sulm të mundshëm terrorist tre ditë më parë, por nuk e dinin se kur apo ku mund të ndodhë.

Qeveria e serbëve të Bosnjës thirri një takim urgjent dhe Presidenti i Republikës serbe Milorad Dodik, i tha televizionit serb të Bosnjës se ai beson që sulmuesi është nxitur nga dikush tjetër, pavarësisht se veproi i vetëm.

Top Channel