Akademia e Shkencave të Vatikanit do t’u bëjë thirrje të krishterëve që të ndërmarrin veprime konkrete ndaj ndryshimeve të klimës, pasi ato prekin më shumë shtresën e varfër të popullsisë së botës.
Akademia i është adresuar lidhur me çështjen edhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Ndërkohë, muajin e ardhshëm Papa pritet të mbajë një deklaratë zyrtare mbi rreziqet që sjell ngrohja e klimës.
Deklarata mund të duket e kontestueshme për katolikët konservatorë në Shtetet e Bashkuara, të cilët pretendojnë se ndryshimi i klimës është thjesht i natyrshëm.
Por at Marcelo Sanchez Sondoro, që drejton Akademinë, tha për BBC se të krishterët janë të detyruar të jenë kujdestarë të Tokës dhe mbrojtës të të varfërve, që do të thotë të ndërmarrin veprime për të ruajtur klimën.
Ai tha se industria e naftës po nxit mosbesimin e shkencës në Shtetet e Bashkuara sepse nuk dëshiron që shoqëria njerëzore të ndryshojë.
Konferenca e Vatikanit “Mbroni Tokën, Dinjitet Njerëzve”, mbahet në Akademinë e Selisë së Shenjtë, një vilë në kopshtet prapa Bazilikës së Shën Pjetrit.
Në të përfshihen 20 krerë fetarë, 20 akademikë dhe 20 shkencëtarë, përfshirë këtu kimistin e gazrave atmosferikë Paul Crutzen, fitues i çmimit Nobel.
At Sondoro deklaroi se Akademia për herë të parë e ka ngritur çështjen e ndryshimeve të klimës 25 vjet më parë, ndërsa 19 vjet më parë struktura këshilluese, një trupë që përbëhet nga shkencëtarë jokatolikë, paralajmëroi rreziqet serioze që vijnë nga këto ndryshime.
Top Channel