Të paktën 15 policë mbetët të plagosur gjatë ditës së hënë në Baltimore të Shteteve të Bashkuara, në protestat e dhunshme, të cilat shpërthyen pas ceremonisë së varrimit të 25 vjeçarit me ngjyrë, Freddie Gray. Ai ndërroi jetë nga plagët në kurriz që i kishte pësuar në rrethana të paqarta gjatë kohës që ishte në paraburgim.
Me qindra të rinj dolën në rrugë të hënën, duke u përleshur me forcat e policisë. Ata hodhën gurë, tulla dhe shishe mbi policinë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë protestuesit.
Trazirat nisën pranë zonës ku u varros 25-vjeçari dhe me shpejtësi u përhapën nëpër pjesë të ndryshme të Baltimores. Këto janë demonstratat më të dhunshme në Shtetet e Bashkuara që prej ngjarjeve në Ferguson, Misuri, vitin e kaluar.
Guvernatori i Mariland, Larry Hogan, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa u aktivizua edhe Garda Kombëtare. Në anën tjetër, zjarrfikësit u përpoqën për të shuar zjarret e vënë nga protestuesit.
Një zyrtar i policisë bëri të ditur se me dhjetëra protestues janë arrestuar, ndërsa konfirmoi se 15 oficerë të policisë janë plagosur, nga të cilët dy janë më rëndë.
Pamjet e transmetuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë një ndërtesë të madhe të përfshirë nga flakët, ndërsa zjarri u është vënë edhe disa makinave të policisë.
Policia ka thënë se në protestë janë përfshirë shumë të rinj dhe u ka bërë thirrje prindërve t’i kthejnë fëmijët e tyre në shtëpi.
Top Channel