Edhe pse Lulzim Basha nuk është personalisht në garën për kryetar Bashkie, Partia Socialiste deklaroi të martën se ai nuk ka mbajtur asnjë premtim gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës.

“Të numërosh premtimet e pambajtura të Lulzim Bashës në Tiranë është vërtet punë e gjatë. Një nga premtimet e bujshme që bëri Luli për Tiranën ishte krijimi i zonave të lira “wi-fi”, pra i zonave me lidhje interneti falas për të gjithë qytetarët, e veçanërisht rininë. Sot, nga ky projekt nuk ka mbetur më asgjë. Me shumë gjasa, e ka harruar edhe vetë Luli. Prandaj, i ftojmë qytetarët të mos na besojnë ne, por të provojnë vetë të lidhen me internetin falas të Lulit. E vërteta është se Lulzim Basha i mashtroi qytetarët e Tiranës me gjithfarë premtimesh që nuk kishte kurrë ndërmend t’i mbante. Të mos kishte mbajtur një apo dy premtime, edhe i falej. Problemi është se nuk ka mbajtur asnjë. Luli i iku garës së Tiranës duke u fshehur pas një kandidati që nuk e merr njeri seriozisht”, tha deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti.

Top Channel