Nepal, dëmet e tërmetit kanë prekur 8 milionë banorë

28/04/2015 00:00

Rreth 8 milionë persona janë prekur nga tërmeti masiv që shkundi Nepalin javën e kaluar, më shumë se çereku i popullsisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara, sipas të cilave ndihmat ndërkombëtare kanë filluar të mbërrijnë, por nevojat janë të mëdha, me 1.4 milionë banorë që kërkojnë ushqim.

Tërmeti me magnitudë 7.8 ballë që ra ditën e shtunë shkatërroi ndërtesat në Katmandu dhe dëmtoi rëndë zonat rurale në mbarë vendin.

Ndërkohë, bilanci i viktimave është rritur në 4.310 të vdekur dhe rreth 8 mijë të plagosur, kanë deklaruar autoritetet lokale.

Banorët e kryeqytetit Katmandu kanë kaluar natën e tretë në qiell të hapur, duke pasur frikë të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Kapacitetet për ujë, ushqime dhe elektricitet janë shumë të tkurrura dhe ekziston frika e rënies së ndonjë sëmundjeje.

“Sipas të dhënave paraprake dhe bazuar në intensitetin e tërmetit, rreth 8 milionë persona në 39 rajone të vendit janë prekur nga tragjedia, mbi 2 milionë prej të cilëve jetojnë në 11 rajone të dëmtuara seriozisht”, thuhet në raportin e fundit të OKB mbi situatën.

Situata është edhe më kritike në zonat rurale në afërsi të epiqendrës së tërmetit. “Po bëhet më keq. Ne kemi tre ditë që qëndrojmë këtu dhe kemi ngrënë vetëm ushqime të improvizuara, nuk ka asgjë tjetër”, ka thënë një burrë, bashkëshort dhe baba i katër vajzave.

Thuajse e gjithë ushtria nepaleze është përfshirë në kërkimet dhe operacionet e shpëtimit. Njerëzit janë nxjerrë nga rrënojat edhe pasi kanë kaluar mbi 50 orë nga tërmeti.

Top Channel