Itali, Renzi: Votëbesim për reformën zgjedhore. Po të doni më dërgoni në shtëpi

28/04/2015 00:00

Qeveria italiane ka bërë të ditur këtë të martë se do të kërkojë një votëbesim në Parlament për ligjin e ri elektoral, që në rast se merr mbështetjen do të rezultojë një fitore për reformën e ndërmarrë nga kryeministri Matteo Renzi, sipas të cilët me këtë hap do të reduktohen bllokadat politike, pasi nga zgjedhjet do të prodhohet një fitues i qartë.

Njoftimi i bërë nga ministrja për Reformat Institucionale, Maria Elena Boschi, nxiti irritimin e shumë prej opozitarëve në Parlamentin italian, të cilët akuzojnë Renzin për kapjen e pushtetit me ligjin e planifikuar, një prej prioriteteve të platformës së tij qeverisëse.

Matteo Renzit duket se nuk i ka mjaftuar marrja pa ndonjë dëm dhe pa shumë vështirësi e votave të para për “Italicum” në Dhomën e Deputetëve, apo më saktë votat e nevojshme për të hedhur poshtë pretendimet për kushtetueshmërinë dhe meritat e reformës elektorale të ngritura nga opozitarët, të dyja të refuzuara me 384 dhe 395 vota respektivisht.

Kreu i Qeverisë italiane ka vendosur ta blindojë ligjin e ri elektoral duke kërkuar votëbesimin. Përmes një mesazhi në Tëitter, kreu i ekzekutivit italian ka thënë se “pas shumë vitesh shtyrjeje, ne kemi marrë përgjegjësinë në Parlament dhe përpara qytetarëve të vendit tonë. Pa asnjë frikë. Dhoma ka të drejtë të më dërgojë në shtëpi, nëse dëshiron. Por për këtë hap nevojitet votëbesimi. Për sa kohë të jem në këtë post, do të përpiqem të ndryshoj disa gjëra”, ka shkruar Renzi.

Presidentja e Asamblesë, Laura Boldrini ka thirrur krerët e grupeve parlamentare për të rënë dakord për kalendarin e ri të punimeve, për shkak të këtij votëbesimi të kërkuar nga Qeveria.

Top Channel