Përpjekjet amerikane dështojnë, Al-Kaeda vret pengjet

24/04/2015 00:00

Dhjetorin e vitit 2014, ishin Luke Somers dhe Pierre Korkie ata që humbën jetën pas dy operacioneve të dështuara për shpëtimin e tyre nga duart e Al-Kaedës. 40 ushtarë të forcave speciale amerikane morën pjesë në mision; avionë pa pliotë kishin kontrolluar zonën përpara mbërritjes së tyre.

Ekipit iu desh të mbulonte 6 milje tokë të shkretuar në Jemen dhe kur ishin vetëm 100 metra larg kompleksit ku mbaheshin peng dy perëndimorët, militantët e kuptuan e i vranë përpara se të qëlloheshin dhe vetë nga trupat amerikane. Këto të fundit ishin nisur të shpëtonin Somers-in, por nuk kishin asnjë dijeni për praninë e Korkie-t. Lajmi i vdekjes së punonjësit afrikano-jugor të ndihmës qe një goditje e tmerrshme për familjen e tij. E shoqja kishte arritur të negocionte me rrëmbyesit dhe Korkie shumë shpejt duhet të nisej për në shtëpi.

Një vit më vonë, skenari përsëritet, veçse në tjetër situatë e me të tjerë protagonistë. Amerikani Warren Weinstein dhe italiani Giovanni Lo Porto kishin tre vjet që mbaheshin peng prej Al-Kaedës në rajonin kufitar mes Afganistanit dhe Pakistanit. Të dy ata i mbijetuan për kaq kohë miliantëve të dhunshëm e të paparashikueshëm për të vdekur në një sulm të dronëve amerikanë kundër Al-Kaedës në muajin janar.

Kolegët e Lo Portos, të cilët ende shpresonin se ai do të dilte i gjallë nga i gjithë ky makth, janë të dërrmuar nga lajmi. Simone Pott, zëdhënëse e agjensisë së ndihmës Welthungerhilfe, shprehet: “Nuk po i besonim veshëve kur dëgjuam lajmin. Jemi thellësisht të tronditur sepse shpresonim vërtet se do të lirohej. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen e tij”.
 
Barak Obama shprehu keqardhjen për episodin fatkeq e tha se si president dhe si  komandant i forcave të bashkuara, merr përsipër çdo përgjegjësi. Ndjesa e shefit të Shtëpisë së Bardhë megjithatë, pak i ndihmon familjarët.

“Nuk kam asgjë për të shtuar. Obama ka kërkuar ndjesë? Faleminderit”, tha vëllai i Giovanni Lo Portos, vëllait të viktimës.

Sa për të ëmën e Lo Portos, ajo nuk pranoi fare të fliste me gazetarët. “Lërmëni të qetë në dhimbjen time”, ishin fjalët e gruas. Ministria e Jashtme italiane kishte tre vjet që përpiqej ta gjente 39-vjeçarin nga Palermo e ta kthente në shtëpi, megjithatë ajo nuk bën fajtorë amerikanët për incidentin: “Fatkeqësisht, përfundimi i përpjekjeve tona ishte i ndryshëm nga sa shpresonim për shkak të një gabimi tragjik dhe fatal të aleatëve amerikanë, çka u pranua dhe nga vetë Presidenti Obama. Megjithatë, përgjegjësia e vdekjes së tij dhe Warren Weinstein rëndon e gjitha mbi terroristët”.
 
Përpara rrëmbimit, të dy viktimat kishin qenë duke punuar me disa projekte në Pakistan.

Top Channel