Për të folur më shumë mbi zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore në vend, si çdo të premte në edicionin qendror të lajmeve të Top Channel ka qenë i ftuar analisti Skënder Minxhozi.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të folësit Ilir Paço, Minxhozi ka folur për akuzat e deputetit socialist Ben Blushi ndaj qeverisë në Parlament, si dhe për eksodin që ka përfshirë shumë shqiptarë.
Ilir Paço: Zoti Minxhozi, debati më interesant politik i kësaj jave është ai në radhët e mazhorancës, pas kritikave të deputetit Ben Blushi për qeverinë. Si i shihni këto kritika?
Skënder Minxhozi: Nuk është e re rrethana kur mazhoranca e majtë përballë një opozite të djathtë të dobët e bën vetë spektaklin. Kujtojmë këtu kohën e Fatos Nanos kur dilnin grupime e rryma. Kritikat e Blushit nuk përbëjnë thjesht një show, por kanë substancë dhe ato i artikulojnë edhe qytetarët e thjeshtë, ndaj si të tilla ato bëjnë sens. Ato kanë bazë sepse Shqipëria ka shumë probleme. Vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta pranoi që ka varfëri. Sa i përket lojërave të brendshme, terminologjia e Blushit, konkretisht fjala “funeral”, mendoj se nuk është me vend pasi të krijosh funeral për gjysmën e mandatit do të kërkonte energji edhe po të punoje negativisht. Pastaj vijoj të them se figurat e staturës së Blushit kanë për detyrë diçka më tepër sesa konstatimin. Kanë për detyrë jo vetëm të hedhin një gur ndaj mazhorancës së tyre dhe pastaj të rrinë, por duhet të jenë prezent, të furnizojnë jo vetëm me kritika por edhe me ide qeverinë, sepse janë pjesë e mazhorancës. Pra, të gjitha frymëzimet e kësaj mazhorance do të duhet të angazhoheshin jo vetëm për të dëmtuar njëri-tjetrin në prag zgjedhjesh, por edhe t’i jepnin varkës me rrema në të njëjtin drejtim.
Ilir Paço: Por zoti Blushi ngre shqetësime që mbështeten nga opinioni, si për reformat që nuk mund të prekin apo të ndëshkojnë vetëm të varfërit. Gjë që mbështetet nga opinioni publik…
Skënder Minxhozi: Shqetësimet e zotit Blushi nuk kanë pse të personalizohen. Të gjithë këta eksponentë politikë thonë gjëra që janë, jo që nuk janë. Duhet të jemi të qartë për këtë. Sa u përket masave restriktive në kurriz të të varfërve, më lejoni të kujtoj që çdo mazhorancë ka luksin që në gjysmën e parë të mandatit të marrë reforma të ashtuquajtura anti-popullore, që më shumë bëjnë të pakënaqur, apo sesa japin efekt në një afat të shkurtër kohor. Kujtoj këtu shembjet masive, aksionet për mbledhjen e faturave të energjisë, etj. Janë reforma që kanë synuar të ngushtojnë spektrin e abuzivizmit dhe shkeljes së ligjit dhe ta bëjnë shtetin më rigoroz ndaj qytetarit. Në vetëvete këto janë reforma që kanë kostot e tyre, por ajo që Blushi dhe të tjerë thonë me të drejtë është se këto reforma duhet të ishin shoqëruar nga masa të tjera që t’i jepnin oskigjen ekonomisë, të krijonin vende pune dhe të sillnin ndryshime të prekshme nga shtresa e varfër, në mënyrë që kjo krizë globale ekonomike, që ka ndikimet e saj në Shqipëri, të kalohet sa më lehtë.
Ilir Paço: Sot kemi edhe njerëz që udhëtojnë për azil për shkak të varfërisë. Njerëz që shesin shtëpitë dhe gjënë e gjallë për t’u larguar. Duhet të jesh shumë i dëshpëruar për ta bërë këtë…
Skënder Minxhozi: Pamjet që shohim në media janë dëshpëruese. Shqipëria ndodhet në një mozaik ndërkombëtar të trazuar sa i përket flukseve migratore. Por fenomeni shqiptar i emigracionit nuk kufizohet vetëm me këto flukse. Fenomeni shqiptar ka tipologjinë e tij, dinamikën e tij, ka elementë të brendshëm që i japin formë. Është ekonomia në krizë të thellë, provinca të tëra jashtë qyteteve të mëdha që me zor nxjerrin jetesën e përmuajshme. Është një ankth kolektiv dhe një psikozë që krijohet nga lëvizja e lirë. Pastaj, nga politikat e vendeve pritëse janë krijuar hapësira që kanë joshur edhe banorët e Ballkanit Perëndimor, kryesisht shqiptarët. Pra, është një shumatore faktorësh që detyrojnë banorët të bëjnë veprime të tilla dëshpëruese, pra të shesin shtëpitë, apo gjënë e gjallë dhe të ndërmarrin këtë rrugë.
Top Channel