Kriza e klandestinëve, gjenerali libian: Ndërhyrje ushtarake nga BE? Vendim i pamatur

24/04/2015 00:00

Kreu i ushtrisë libiane ka refuzuar mundësinë e bashkëpunimit me ndonjë ndërhyrje ushtarake të BE-së në vendin e tij, me synimin për të ndalur fluksin e emigrantëve të paligjshëm, që përpiqen të mbërrijnë në Europë përmes rrugëve tepër të rrezikshme detare.

Në një intervistë për CNN gjatë së premtes, Gjenerali i Forcave të Armatosura të Libisë, Khalifa Haftar, tha se autoritetet libiane nuk janë konsultuar për një ndërhyrje të tillë dhe se, çfarëdo që të ndodhë, veprimet ushtarake nuk do ta zgjidhnin këtë problem.

“Sigurisht që nuk do të bashkëpunojmë, sepse nuk jemi përfshirë aspak në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha Haftar. “Vendimi është marrë pa konsultuar palën legjitime të Libisë”.

Bashkimi Europian po vuan së tepërmi me përballimin e numrit gjithnjë e në rritje të emigrantëve klandestinë që udhëtojnë me varka të tejmbushura në përpjekje për t’u transferuar në brigjet europiane. Shumë prej tyre po ia mbathin prej dhunës, luftrave dhe varfërisë në Libi, por edhe vende të tjera të rajonit.

Nga mbytja e një anijeje fundjavën e kaluar mbetën të vdekur rreth 900 persona. Ndaj dhe udhëheqësit e Bashkimit Europian u mblodhën në një samit të jashtëzakonshëm për të konsideruar një plan, i cili do të përfshinte veprime ushtarake kundër trafikantëve në burim, pra përpara sesa ata të mund të mbingarkojnë anijet apo varkat për t’i nisur më pas drejt Europës. E pashmangshme do të jetë se, në rast të një operacioni të tillë, do të duhej përfshirja e forcave të vendeve të Afrikës Veriore.

Megjithatë, Haftar shprehu mosdakordësinë e tij në lidhje me perspektivën e këtyre sulmeve.

“Një sulm ushtarak kundër territorit libian do të ishte një vendim i pamatur. Duhet të përballemi me krizën libiane në tërësi. Ne jemi një vend sovran, që duhet të respektohet, pavarësisht problemeve përmes të cilave po kalojmë në këtë moment”.

Haftar nuk u përgjigj drejtpërdrejt, kur u pyet nëse autoritetet libiane do të përballeshin me forcat europiane brenda territorit të vendit të tij.

“Bashkimi Europian duhet të qëndrojë në krah të popullit libian për të zgjidhur krizën që po kalojmë, në vend që të marrë të tilla vendime”, tha Gjenerali. “Kriza e emigracionit i prek së tepërmi ata, por ata duhet të kuptojnë që edhe problemet tona janë shumë të rëndësishme. E rëndësishme është që ata të na mbështesin, qoftë në frontin humanitar, edhe në frontin e sigurisë”.

Megjithatë, pas këmbënguljes për një përgjigje, ai u shpreh se “ne bëjmë gjithçka që është në interesin e popullit libian. BE-ja është duke u kujdesur për interesat e veta, ndaj ne do të kujdesemi për tonat”. “Sigurisht që jemi të hapur për bashkëpunim, nëse ata do të marrin vendimet e duhura”, tha ai, referuar autoriteteve europiane.

Top Channel