Apeli Administrativ: Testimi i infermierëve do të zhvillohet

23/04/2015 00:00

Testimi i infermierëve do të zhvillohet. Gjykata Administrative e Apelit i jep të drejtë Ministrisë së Shëndetësisë për ta zhvilluar testimin ndaj infermierëve dhe hedh poshtë pretendimet e Urdhrit të Infermierëve, se ky testim cenonte të drejtat e tyre.

“Jam informuar sot me vendimin e marrë nga Gjykata Administrative e Apelit, që do të thotë se, së pari është vendim i formës së prerë. Besoj se do të na duhet të rindërtojmë kalendarin që kishim përgatitur, për të parë sa i akomodueshëm është në javët dhe në muajt në vijim, por besoj se do të duhet të reflektojmë edhe ndaj vlerësimeve, kërkesave dhe pretendimeve që Urdhri i Infermierit ka pasur për përmbajtjen e pyetjeve. Bashkërisht mund të ndërtojmë një proces të shëndetshëm”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është i formës së prerë dhe, menjëherë pas zbardhjes së tij, ai hyn në fuqi. Çka i jep të drejtë ministrisë të testojë infermierët dhe më pas edhe mjekët, por afatin se kur, e përcakton kjo e fundit.

Ministria e Shëndetësisë garanton edhe njëherë se, askujt nuk do t’i cenohet vendi i punës, pavarësisht rezultatit në testim. Ai do të shërbejë si një fotografim i situatës, për të orientuar edukimin në vazhdim.

Por, kreu i Urdhrit të Infermierëve, i cili e kishte çuar në gjyq çështjen e testimit, i kontaktuar nga Top Channel deklaron se, vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit ishte një vendim politik dhe jo vendim ligjor. Urdhri i Infermirëve do të bëjë rekurs të këtij vendimi në Gjykatën e Lartë.

Top Channel