Basha prezanton kandidatin e PD në Vlorë: Shqiptarët po ikin nga varfëria

22/04/2015 00:00

As keqinformimi dhe as mashtrimi nuk është arsyeja e largimit të shqiptarëve, sipas kreut të demokratëve. Nga qyteti i Vlorës, ku bëri prezantimin e kandidatit të PD për këtë bashki, Lulzim Basha deklaroi se është keqqeverisja që ka 5-fishuar varfërinë e që po çon shqiptarët drejt kërkimit të azilit në vendet e BE-së.

“E vetmja gjë që bën ky palo kryeministër është një version i dobët dhe i pagëlltitshëm i ‘Portokallisë’, me leje legalizimesh që vetëm falas nuk janë. Si erdhën deri këtu? Pse po largohen shqiptarët nga vendi i tyre? Erdhën deri këtu sepse mbi 20 mijë familje nuk marrin ndihmë ekonomike. Nuk e marrin ndihmën sepse iu gjetën një karrike dhe një tryezë në shtëpi. Po pate karrike dhe tryezë nuk kualifikohesh për ndihmë, sepse duhet të jesh si në mesjetë për të marrë ato 16 mijë lekë të mjera që merr sot ajo pakicë që ende i merr. Ndërkohë që fatura minimale e energjisë është 35 mijë lekë. Eksodi është denoncimi më i fuqishëm kundër keqqeverisjes. Këta e kanë lënë timonin pa duar sepse u gënjen mendja se u largohen votat kundër e nga ana tjetër i bëjnë presion Europës, ‘shiko se ç’ju bëjmë ne!’”, tha Basha.

Basha shigjetoi kandidatin e socialistëve për Bashkinë e Vlorës, jo aq për atë që ai përfaqëson, por si i dërguari sipas tij i Koço Kokëdhimës.

“Do të sjellin dikë që do të zbatojë urdhrat e shefit dhe shefi kësaj radhe është Koço Kokëdhima. Nuk i mjaftojnë sarajet e Qeparoit, por do t’i ngrejë ato edhe këtu, në mes të Vlorës, t’ua përplasë në fytyrë vlonjatëve. E kanë zgjedhur kandidatin që do të marrë urdhrat nga Koçua, do të punojë për Koçon dhe do të japë hesape tek Koço”, tha Basha.

Në ndryshim nga kandidati socialist, Lulzim Basha beson se kandidati i tij në Vlorë do të punojë për qytetin dhe do t’ua kthejë atë vlonjatëve. “Ju premtoj se do të jem administratori juaj, i popullit tonë, i Vlorës. Më testoni dhe do t’ia arrijmë të gjithë bashkë që t’ia kthejmë Vlorën vlonjatëve”, tha Genci Deromema.

Top Channel