Rodos, mbytet anija me rreth 100 persona, të paktën 3 të vdekur

20/04/2015 00:00

Tragjedia e re detare në ujërat e Egjeut ka ndodhur mëngjesin e së hënës, kur një varkë me rreth 100 klandestinë është përplasur me shkëmbinjtë në brigjet e ishullit të Rodosit.

Të paktën 3 persona, një burrë, një grua dhe një femijë 5 vjeç konfirmohen të vdekur, por mediat greke aludojnë se bilanci i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Ndërkohë, 96 të tjerë janë shpëtuar nga forcat e marinës detare dhe grupet e shpëtimit, prej të cilëve 5 ndodhen në spitalin e ishullit me simptomat e hipotermisë.

Sipas burimeve nga policia e Rodosit, bëhet fjalë për klandestinë, shumica e të cilëve janë nga Siria, ndërsa pjesa tjetër nga Etiopia dhe Eritrea.

Nga dëshmitë e të shpëtuarve mësohet se trafikantët që i transportonin prej brigjeve turke e kanë drejtuar qëllimisht barkën drejt shkëmbinjve dhe më pas janë larguar me një motoskaf të vogël drejt Turqisë. Si pasojë e përplasjes, shumica e klandestinëve u gjendën në det dhe luftuan me dallgët për të dalë në breg.

Dy ditë më parë autoritetet greke shpëtuan 37 emigrantë të tjerë pranë ishullit Agathonisi, midis tyre edhe një grua nga Kameruni që vetëm disa çaste para se të mbërrinin grupet e shpëtimit kishte lindur dy binjakë në mes të detit, të cilët janë dërguar urgjent në spital dhe tashmë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Vetëm javën që kaloi, 750 klandestinë kanë mbërritur në ishujt Lesbo, Hios dhe Ko. Ndërsa në tre muajt e fundit numri i personave që kanë mbërritur në brigjet greke të ishujve të Egjeut Lindor tejkaloi shifrën prej 10.500 vetë, pesë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, organet vendore në ishuj, por edhe në Athinë japin alarmin për mungesë kushtesh dhe mundësish për të strehuar një numër kaq të madh klandestinësh.

Sipas shërbimit të OKB, kjo rritje e valës së emigracionit në Greqi, Maltë dhe Itali ka shkak një numër faktorësh që lidhen me situatën në rajonet e nxehta të Lindjes së Mesme si Siria dhe Iraku, apo edhe të gjendjes në disa shtete të kontinentin afrikan.

Top Channel