Policia e Tiranës ka zbuluar një skemë mashtrimi për punësim, ndërsa filloi procedimin penal ndaj dy personave të dyshuar si të përfshirë në këtë skemë.
Gazeta “Shqip” duke iu referuar burimeve nga policia e kryeqytetit, bën të ditur se, bëhet fjalë për një skemë mashtruese për punësim në Rusi kundrejt shumave monetare.
“Në gjendje të lirë po procedohen dy shtetasit Lulzim Hidri dhe Hazbi Lushi, të cilët sipas të dhënave paraprake, kanë mashtruar disa persona, të cilëve u kanë premtuar punësim me kontrata një dhe dy-vjeçare në Rusi, kundrejt pagesës prej 4-5 mijë euro”, shtuan të njëjtat burime.
Mësohet se Hidri, 45 vjeç, dhe Lushi, 27 vjeç, premtonin gjetjen e një pune në Rusi, në ndërtim ose si shoferë, me paga mujore nga 2000-2500 euro në muaj.
“Ka pasur shumë denoncime për këtë rast në policinë e kryeqytetit, ndër të cilët shtetasit G.T., F. Sh., dhe L.H. Ata kanë rrëfyer se Hidri dhe Lushi u kanë premtuar nxjerrjen e vizave të punës kundrejt pagesës, ndaj ata u kanë dhënë si garanci 1000 euro ose 150 mijë lekë, pa marrë më pas asgjë si këmbim”, bëhet e ditur nga policia, e cila beson se kjo është një skemë e pastër mashtrimi për punësim, e zbuluar pas shumë ditëve investigimi nga sektori për krimin ekonomik dhe financiar.
Top Channel