Veliaj, dalja e parë me Majkon

18/04/2015 00:00

Erion Veliaj me siguri nuk e kishte parashikuar se katër vjet pasi i kërkoi Pandeli Majkos t’i jepte teseren e Partisë Socialiste, do t’i drejtohej sërish ish-kryeministrit me një ftesë: të bënte daljen e parë në fushatën elektorale me të.

Në nisje të fushatës së tij për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj e nisi mëngjesin e kësaj të shtune me një kafe me Majkon. Jo aq për shkak se beson se Majko është fatsjellësi i tij politik, por për faktin se ish-kryeministri ishte rivali i tij në garën e brendshme në PS, së bashku me Blendi Klosin.

Në ndryshim nga ky i fundit, që është deputet i Durrësit, Pandeli Majko është gjithashtu deputet në zonën e konsideruar si ‘hambari i votave të PS’, njësia bashkiake numër pesë, zonë të cilën Veliaj përzgjodhi edhe barin ku u shfaq i shoqëruar me Majkon.

Burime pranë kandidatit të së majtës thonë se Pandeli Majko i ka dhënë mbështetjen e plotë Erion Veliajt dhe është angazhuar të punojë me të për fitoren në 21 Qershor.

Nëse për teseren e anëtarësimit në PS, siç ka pohuar vetë Majko gjatë kongresit të 2011-ës, Erion Veliajt iu desh mbi një vit ta bindte që të ishte ai që do ta dorëzonte, tani që Veliaj është pjesë e Partisë Socialiste prej katër vitesh, ministër i saj prej 18 muajsh dhe së fundmi edhe kandidat për Tiranën, Pandeli Majko jo vetëm që i ka dhënë mbështetjen, por e ka shoqëruar atë në përshkimin e rrugës në këmbë në daljen e parë publike si kandidat për karrigen e kryebashkiakut.

Top Channel