Bushati viziton SHBA-të, takim edhe me John Kerry

18/04/2015 00:00

5 vite nga takimi i fundit i një ministri të Jashtëm shqiptar në Uashington rezervohet në selinë e diplomacisë amerikane një tjetër pritje për shefin aktual të diplomacisë shqiptare.

Ditmir Bushati do të pritet në Uashington nga Sekretari i Shtetit, John Kerry si kulmim i  vizitës që ministri i Jashtëm ka nisur në SHBA. Takimi, që do të mbahet ditën e hënë, do të shoqërohet edhe me një dalje të përbashkët publike, me një deklaratë për mediat të Bushatit dhe Kerrit.

Nëse për për një ministër të Jashtëm pritja nga Sekretari amerikan i Shtetit shënon një pikë të lartë të aktivitetit diplomatik, për marrëdhëniet Shqipëri – SHBA është ngritje në një tjetër nivel të marrëdhënies së konsideruar strategjike nga ana jonë dhe po ashtu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe për shkak të formalizimit të kësaj marrëdhenieje me një dokument të bashkëpunimit Shqipëri-ShBA.

Takimi do të fokusohet, përveç bashkëpunimit dypalësh, perspektivës zhvillimore të Shqipërisë, rrugës europiane të vendit tonë, marrëdhënieve rajonale, edhe tek tema e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, sfidat me të cilat përballet arkitektura e sigurisë europiane, lufta kundër terrorizmit, siguria energjitike etj.

Vizita e ministrit Bushati në Uashington dhe takimi me sekretarin Kerry vjen në një moment kur të dyja palet ndajnë një axhendë intensive bashkëpunimi, si në planin dypalësh, ashtu edhe në çështjet rajonale dhe të sigurisë ndërkombëtare.

Vizita e shefit te diplomacisë shqiptare në SHBA nisi me përurimin e rikonstruksionit të selisë së Ambasadës sonë atje, prej vitesh në degradim. Ditmir Bushati preu shiritin e përurimit të ambienteve të reja të Ambasadës, një vit pas zotimit për rikonstruksionin e saj.

Ambientet e reja të Ambasadës, u përuruan me praninë e përfaqësuesve të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të institucioneve kryesore, diplomatëve kryesorë e përfaqësues të diasporës.

Për Ditmir Bushatin, përmirësimi i kushteve të përfaqësimit në Uashington është një shenjë e qartë përgjegjësie si dhe një dëshmi konkrete e angazhimit ndaj aleatit strategjik.

Top Channel