Mjekët që nuk plotësojnë kreditet nuk do lënë vendet e punës

17/04/2015 00:00

Asnjë mjek, farmacist apo stomatolog nuk do të lërë vendin e punës për mungesë kreditesh, siç dhe ishte paralamjëruar. 16 prilli ishte dita kur 226 mjekë, të cilët kishin zero kredite duhet të lironin vendin e tyre të punës, por kjo nuk ndodhi.

E njëjta gjë për 398 stomatologë dhe 104 farmacistë, të cilët nuk kishin marrë asnjë kredit në afatin e përcaktuar. Për të gjithë këta profesionistë është shtyrë afati i dorëzimit të dokumenteve.

Drejtoresha e QKEV-së, Entela Shehu deklaron se deri më 30 prill ata mund të sjellin dokumentet e tyre, ku vërtetojnë se kanë marrë pjesë në konferenca shkencore dhe kjo mund të redukojë ndjeshëm numrin e profesionistëve që kanë rezultuar me zero kredite.

“Ka një vullnet pozitiv të Ministrisë së Shëndetësisë, urdhrave përkatës dhe antarëve të Bordit të Certifikimit për të mbështetur mjekët dhe ata profesionistë që nuk kanë përmbushur detyrimet. Deri më sot kemi mbledhur një numër të madh kërkesash për rishikim rezultatesh. Deri në fund të prillit do të kemi të tjera dhe deri më 10 maj, kur do shpallet rezultati, numri i atyre që nuk përmbushin programet e parashikuara do të jetë shumë më i ulët se ai që është publikuar në media deri tani”, u shpreh Shehu.

Zonja Shehu thotë se më 10 maj përpunimi i dokumentacionit duhet të ketë përfunduar dhe u duhet dorëzuar urdhrave përkatës, të cilët kanë të drejtë që, në rast se do të ketë profesionistë me zero kredite t’u pezullojnë licencën. Ndërkohë, këto rezultate do t’u vihen në dsipozicion edhe institucioneve shëndetësore ku ata punojnë.

Top Channel