Mashtrimi që po zbraz Dumrenë; të rinjtë drejt Gjermanisë të nxitur nga trafikantët

17/04/2015 00:00

Gjendja ekonomike, jeta e vështirë e fshatit, por edhe premtimet për një jetë më të mirë po largojnë qindra banorë të fshatrave të Elbasanit dhe të zonës së Dumresë drejt Gjermanisë.

Kryesisht, çifte të reja marrin para borxh, madje shesin edhe bagëtinë për të blerë një biletë vetëm vajtje drejt Gjermanisë. Çdo mbrëmje djemtë mblidhen në lokalin e fshatit për të mësuar ofertat e fundit për udhëtime.

Atyre u kanë thënë se kanë mbetur shumë pak ditë dhe më pas Gjermania nuk do të pranojë më shqiptarë. Më pas hapet Austria. Kjo është një nga ato informacione në formën e një mashtrimi të pastër për të nxitur fluksin e më pas për të rritur biletat e shitura për udhëtimet drejt Gjermanisë. Mashtrimi i pastër është kthyer në shpresë për banorët e zonave rurale të Elbasanit.

“Në Gjermani janë dy kalamajtë e mi. Kanë mbushur një vit dhe për ne si shtresë të varfër, kushteve tona u është përgjigjur vetëm gjermani. Djemtë kanë ikur me gratë dhe kalamajtë”, thotë një prej tyre.

“Mblidhemi një grup çunash në një vend dhe bisedojmë. Ka njerëz që kanë ikur dhe s’i kanë kthyer, kështu që do ta provojmë një herë”, thotë një djalë i ri.

Fshatrat po boshatisen, tokat janë lënë djerrë, ndërkohë që të moshurit që kanë mbetur të vetëm urojnë që fëmijët e tyre të gjejnë të ardhmen.

“Njëri ka dy kalamaj, gruan shtatëzënë dhe asgjë. Nuk ka se si të mbijetojë. Shtëpi kanë, por punë jo”, thotë një grua në moshë.

Banorët e fshatit Shalës tregojnë se çdo ditë furgonët e agjencive të udhëtimit mbushen plot me çifte të reja, shumë prej tyre me fëmijë. Ata grumbullohen të gjithë në Rrogozhinë dhe prej andej me autobusë shkojnë drejt portit të Durrësit. Secili duhet të ketë me vete 1 mijë euro.

Më të guximshme janë gratë shtatzëna. Edhe pse në muajt e fundit të shtatzënisë ato marrin rrugën të sigurta, pasi u kanë premtuar se në gjendjen e tyre askush nuk mund t’i kthejë dhe nisen drejt Gjermanisë për t’i siguruar foshnjës një të ardhme të sigurt.

Top Channel