Grantet, 6.5 milionë euro për bujqësinë

17/04/2015 00:00

Grantin e ri të qeverisë gjermane dhe asaj daneze për bujqësinë e prezantoi këtë të premte ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe dy ambasadorët Jensen dhe Hoffman.

“Një dimension tjetër jo më pak i rëndësishëm janë zonat kodrinore dhe malore dhe ky projekt vjen në momentin e duhur, kur ne synojmë të rrisim investimet në këto zona. Edhe procedura është e thjeshtë dhe aspak burokratike”, deklaroi Panariti.

Ndërsa agropërpunuesit që merren me grumbullimin, përpunimin, magazinimin dhe shitjen e produkteve bujqësore do të përfitojnë deri në 10 milionë lekë për të zgjeruar aktivitetin.

Nëse për investimet në nivel ferme mbështetja përllogaritet në rreth 65% të investimit dhe për atë jashtë ferme në 50%, skema inkurajon aplikantët e rinj dhe gratë fermere me një mbështetje shtesë prej 10% mbi shumën e grantit.

“Do të përpiqemi të përmirësojmë performancën social-ekonomike të këtyre zonave duke ofruar kapital, ekspertizë, shërbim këshillimi, akses marketingu. Vëmendje e vecantë do ti kushtohet fermerëve të rinj dhe grave që do të kenë trajtim preferencial për shkak të sfidave specifike me të cilat përballen”, deklaroi Mads Sandan, ambasador i Danimarkës në Tiranë.

Ndërsa ambasadori gjerman, Hellmut Hoffman nuk la pa prekur dhe atë që është shndërruar në çështjen e ditës mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, emigracionin e shqiptarëve drejt këtij vendi.

“Zhvillimi i zonave rurale, veçanërisht atyre të varfëra, është shumë i rëndësishëm. Mendoj se kushdo që sheh lajmet do të kuptojë që është e rëndësishme t’u japim njerëzve shpresë dhe ndjesinë se diçka pozitive po ndodh, në mënyrë që të rrijnë atje dhe të punpojnë në këto zona rurale”, deklaroi Hoffman.

Top Channel