Arroganca e një gare pa rivalë

17/04/2015 00:00

Arben Manaj – Zgjedhjet lokale do të duhet, ndër të tjera, të rivendosin disa balanca të shëndetshme në mungesën e konkurrencës politike në Shqipëri, e cila i ka lënë një hapësirë gjithnjë e më të madhe arrogancës së pushtetit qendror, mazhorancës dhe krerëve të saj.

Këto zgjedhje, në rastin më ideal, dhe po të ndiqnin praktikat e munguara të demokracisë amerikane, përgjithësisht do të duhet të ndiqnin modelin e zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.

Ato shërbejnë si një rast fatlum për ekuilibrimin e pushteteve politike në Uashington, kur njëra forcë politike zotëron njërin pushtet dhe votuesit amerikanë i heqin përmes votës forcën e arrogancës kësaj pale dhe duke ia dhënë balancën palës tjetër, përgjithësisht asaj që nuk është në ekzekutiv, duke e bërë qerren politike amerikane një mjet që drejtohet nga dy kuaj, të cilët përcaktojnë shpejtësinë e ecjes, pavarësisht se kush ua tërheq më fort frerët.

E meqë jemi te përvoja amerikane ku primaret (primary) janë forma të konfirmuara të përzgjedhjes dhe konkurrimit të platformave të kandidatëve, për aq sa është demokratikisht e mundur, ajo çka ka ndodhur deri më tani, në përgatitjet për zgjedhjet lokale shqiptare, mban emrin arrogancë pushteti absolut, në kushtet e një mungese thuajse absolute opozite funksionale, e cila nuk ndikoi në një hartë më të gjerë elektorale, e pas shuplakave në zgjedhjet e përgjithshme, nuk po mund të gjej një shkëmb, ku të ngec në rrokopujën e rënies së lirë.

Përzgjedhja e kandidatëve si për fillim, konkludoj në një pjesë jo të vogël, në një pazar ku përkundër pretendimit se është marrë mendimi i bazës, pikërisht ajo ka qenë pjesa më e injoruar.

Kjo pasi në lojë ka pasur premisa dhe faktor korruptivë për të ndarë hisen dhe llokmën e një pushteti që është akoma më i vështirë dhe larg syrit vëzhgues e monitorues në afera korrupsioni, të cilat do të lipset të monitorohen më nga afër pas këtyre zgjedhjeve.

Kaq e vërtetë është kjo, saqë më e leverdishme rezulton të jetë lënia e mandatit të deputetit për postin e kryetarit të bashkisë.

Kryeministri deklamoi se “ka mbaruar koha kur qeveria i vinte gjoba elektorale biznesit”, por kam frikë se ka filluar koha kur biznesi ka nisur t’i vërë gjoba elektorale qeverisë dhe mazhorancës.

Jo pak kandidatë janë produkte influencash okulte filo-kanabistësh e filo-tenderistësh, neo-oligarkësh mediatikë të Rilindjes, që kanë rekorde kafshimesh të të zotërve, kur nuk kanë marrë atë që kanë kërkuar e që s’e kanë për gjë ta bëjnë sërish.

Kryeministri e ndonjë lider tjetër i fuqishëm politik nuk ka përse të duan një njeri poshtë nivelit të tyre të evolucionit qoftë njerëzor, qoftë politik.

Arroganca e pushtetit vjen edhe nga marrja si e mirëqenë se votuesit shqiptarë janë një masë që nuk ka aftësinë të diferencojë dhe këtu qëndron gabimi i tyre më i madh dhe i përsëritur.

E ndërsa në shumë zona, ku edhe një kandidat me më shumë se dy këmbë apo me flatra të vendosë pushteti apo opozita do fitojë në ato bastione, në disa të tjera, për shkak edhe të konfigurimeve politike dhe aleancave, sfumohet deri në tjetërsim vlera e kandidatëve, sado të mirë të jenë.

Në këto zona si Tirana, ndërkohë që zgjedhja e Veliajt është një zgjedhje e duhur, për shkak të vlerave menaxhuese që besoj se ka dhe rekord ish-ministri, por kjo nuk i shton atij asnjë meritë për fitoren e pritshme në Tiranë, ku nuk ka garë reale dhe jo për faj të tij.

E njëjta gjë vlen edhe për kandidatin e opozitës, gjinekologun Halim Kosova, një mjek me reputacion të padiskutueshëm profesional e që të paktën askush nuk mund ta shajë, as nga nëna e as nga gruaja e motra, se është i humbur…

Por sado vlera të ketë ai dhe Veliaj janë fitore dhe humbje të paracaktuara dhe pikërisht kjo e bën akoma më arrogante pushtetin dhe me disfatiste opozitën, çka u konfirmua nga vonesat sadomazokiste të njoftimit të emrave të tyre, nga ata që nuk besojnë se shenja e pushtetit të një njeriu nuk është kur të tjerët pasojnë dhe bëjnë çfarë ai sugjeron, por edhe kur të tjerët bëjnë një përpjekje të ndërgjegjshme për të bërë saktësisht të kundërtën e asaj që ai sugjeron.

Fatkeqësisht, opozita ka po aq shanse të fitojë në këto zgjedhje sa ka një mizë që të ulet në një plumb të dalë nga gryka e një arme zjarri, por shqiptarët do të duhet të rivendosin ekuilibrat e nevojshëm ose të japin sinjale elektorale, për t’i dhënë fund arrogancës së pushtetit absolut, pasi nga absolutizmi politik, Shqipëria ka vuajtur shumë historikisht dhe së fundmi.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA