Partia Socialiste dhe Partia Demokratike zyrtarizuan këtë të enjte kandidaturat e tyre për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Emrat e dalë nga ky proces ishin ata që përfliteshin prej ditësh tashmë, Halim Kosova nga demokratët dhe Erion Veliaj për socialistët.
Por i gjithë ky proces ka ngjallur edhe pakënaqësi mes vetë kampeve dhe aleatëve të tyre, pakënaqësi që i shtohen edhe ato të grumbulluara prej procesit të zgjedhjes në rang republike. E mes këtyre pakënaqësive, të paktën një kryeqytet pritet të garojnë si të pavarur, të paktën deri më tani, tri kandidatura të tjera.
Mes Erion Veliajt dhe Halim Kosovës, kush është favoriti? Po kandidatët e pavarur çfarë mundësish kanë? Futen në garë për të fituar, apo thjesht për të bërë zhurmë e për të ngritur një kauzë të tyren?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dhanë përgjigje të ftuarit politikanë dhe analistë në takimin e përjavshëm në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla.
I pari që mori fjalën ishte kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili edhe më herët ka shprehur pakënaqësi nga kandidaturat e nxjerra nga Partia Demokratike, pavarësisht se vazhdon të mbetet pjesë e koalicionit të djathtë.
“Vazhdoj të jem në aleancë dhe në negociata me PD-në, por në lidhje me procesin e zgjedhjes së kandidatëve unë kam vërejtjet e mia pasi nuk është demokratik dhe transparent. Është shumë e rëndësishmë që kandidatët të testohen dhe të votohen nga anëtarësia. Më shumë këta janë kandidatë të partive të mëdha. Është një proces përzgjedhjeje problematik. Kemi dy personazhe në shërbim të këtyre dy partive politike dhe në këto dy parti nuk ka një demokraci funksionale“, tha Ndoka.
Në panel ishte i ftuar edhe kandidati i pavarur, Arben Tafaji, kryetar i njësisë bashkiake numër 8, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike. Ai sqaroi se përse ndjehej optimist për të fituar garën.
“Kam qenë gjithmonë kandidat i mbështetur nga koalicioni i djathtë, por jo i PD-së apo i PR-së. Tashmë, nuk jam më i mbështetur nga koalicioni i djathtë, por garoj më vete. Kjo është qasja ime politike në këtë moment. Jam futur seriozisht në këtë garë. Kam hyrë për të fituar dhe kam premisat e fitores. Familja ime ka 300 vite që jeton në Tiranë“, tha ai.
Përzgjedhjen e emrave prej kryetarëve të partive e ka kritikuar edhe analisti Arjan Vasjari, por gjithsesi ai shtoi se kandidatët nuk do të jenë vegla të verbëra të kryetarëve të tyre.
Pjesa e dytë nisi me analizën e kandidatëve të Tiranës. I pari që mori fjalën ishte analisti Mustafa Nano, që vlerësoi kandidimin e të pavarurve, por tha se pas 21 qershorit, Erion Veliaj do të jetë kryetari i ri i bashkisë.
“I pres me gëzim këto kandidime sepse ngjyrosin fushatën, por për mua kryetar bashkie ka për të qenë Erion Veliaj. Është shpejt për ta thënë, por kështu mendoj unë. Kam inkurajuar Gjergj Bojaxhiun që ta bëjë këtë sepse është njëri prej politikanëve që ka dalë prej politikës shqiptare i pabaltosur. Gjergj Bojaxhi do të marrë vota edhe majtas për mua sepse ka pasur një profil shumë teknik brenda PD-së”, u shpreh ai.
Për Nard Ndokën Partia Demokratike nuk ka bërë zgjedhjen e duhur për Tiranën dhe ashtu si Nano sheh në epërsi Erion Veliajn.
“Nuk ka gjetur njeriun më të përshtatshëm për Bashkinë e Tiranës. Tirana do një menaxhues perfekt, të kesh një vizion të qartë. E kanë zgjedhur si njeri që mund të tërheqë votat prej simpative që mund të ekzistojnë si personazh sesa si kandidat i lartësisë europiane. Veliaj është një personazh i ri ambicioz, por ka qenë tek projektet e Ramës, edhe në ministri ka qenë më shumë zbatues i projekteve të Ramës. Megjithatë do të ketë epërsi ndaj zotit Kosova.
Arjan Vasjari deklaroi se më e rëndësishme me këto përzgjedhje është rikthimi i fushatës së qetë, ndërsa bëri edhe një analizë me avantazhet dhe disavantazhet e secilit kandidat.
“E rëndësishme është që Tirana do t’i kthehet betejës normale. Ka shumë mundësi për të qenë një fushatë e qetë dhe beteja këtu mund të rrezatojë edhe në rang republike. Janë dy personazhe me bilance të qarta, të ndryshëm me njëri-tjetrin. Pika e fortë e Halim Kosovës është raporti me Tiranën, që Veliaj s’e ka aq të fortë. Kosova ka pikë të dobët komunikimin, Veliaj është i shkëlqyer në komunikim. Kosova nuk e ka këtë dhe këtë e pranoi edhe vetë këtë sot kur tha që është i varfër në fjalë”, u shpreh Vasjari.
Edhe Mustafa Nano vlerësoi se fushata do të jetë e qetë dhe pa tensione, të paktën për kryeqytetin. Ndërkohë, analisti Lutfi Dervishi radhiti avantazhet dhe disavantazhet mes kandidatëve, sipas tij.
“Fuqia e ekranit dhe e rrjeteve sociale, audienca të reja që janë gjithnjë në rritje është një avantazh ku Veliaj është mirë. Kjo është në disavantazh për Halim Kosovën. Në koherencë të përgjithshme, Veliaj është në avantazh ndaj Halim Kosovës. Kosova thotë se flet përmes punës, por në fushatë është imazhi dhe angazhimi me publikun”, tha Dervishi.
Kandidati Arben Tafaji tha se shtylla e fushatës së tij do të jenë takimet me qytetarët.
“Media ka rëndësin e saj dhe media sociale gjithashtu. Unë kam takuar njerëzit derë më derë për fushatën. Unë shoh kandidatin e majtë…e shoh përballë meje, sepse zoti Kosova, kam bindjen që s’ka një projekt personal, po do na vijë me një projekt të Partisë Demokratike, një projekt që ne gati po e lëmë. Kosova i bie të jetë vazhdim i bashkisë së sotme”, tha Tafaji.
Në fund foli kreu i demokristianëve, Nard Ndoka. Ai kritikoi Partinë Demokratike për strategjinë e përzgjedhur prej saj për daljen në zgjedhjet e 21 qershorit. Ai tha se ende nuk ka një marrëveshje me PD dhe se partia e tij do të dalë me një vendimmarrje ditën e premte për këtë çështje.
“Do të jetë një marrëdhënie e vëshirë me PD që i dha shenjat e veta që në fillim. Nuk tentoi të zgjerojë bazën e këtij koalicioni, por u mbyll në guackën e vet. Nuk pati ndonjë tendencë serioze për FRD e zotit Topi, as për AKZ, një forcë opozitare që të jetë pjesë e aksionit politik. Nuk pati një vendimmarrje as për aleatët historikë dhe strategjikë, por PD tentoi përçarjen e tyre dhe anashkalimin. Bisedimet nisën me këtë klimë mosbesimi dhe një qasje të turpshme edhe publike të PD që këtë proces ta bënte sa më të mbyllur. Jemi në pikën zero me PD dhe PDK nesër do të marrë një vendim për këtë”, tha Ndoka.
Top Channel