Greqia nën presion, vendi dy hapa larg humnerës

16/04/2015 00:00

Një rrugëzgjidhje të menjëhershme po përpiqet të gjejë Athina zyrtare, që ndodhet vetëm dy hapa larg humnerës së falimentimit.

Gjithashtu, qeveria helene ndodhet nën presionin e gjithë mediave të huaja, të shumicës së zyrtarëve të lartë europianë dhe së fundmi edhe të agjencisë financiare “Standard and Poor’s”, që e ka zbritur një shkallë në klasifikim aftësinë paguese afatgjatë të shtetit grek nga “B minus” në “CCC”, me perspektivë negative.

Shifrat zyrtare kane treguar gjithashtu se deficiti buxhetor, domethene dallimi mes të ardhurave dhe shpenzimeve të Greqisë, vitin e kaluar ishte 3.5% i PBB ,pra shume me i larte se parashikimi prej 0.8% i Qeverisë.

Ekonomia është tkurrur me 1 për qind në gjashtëmujorin e fundit pavarësisht se euro është dobësuar dhe çmimi i naftës ka rënë. Ndërsa rezervat bankare janë reduktuar prej dhjetorit të kaluar me 50 miliardë euro.

Perspektivat ekonomike të vendit do të përkeqësohen edhe më shumë nëse nuk përfundojnë së shpejti bisedimet me kreditorët e saj, ka paralajmëruar ndërkohë ministri gjerman i Financave Wolfgang Shcaeuble.

“Greqia duhet të jetë konkurruese, duhet të bëhet konkurruese. Përndryshe kemi një enë pa fund dhe nuk mund të shpenzosh qindra miliardë dhe qindra miliardë të tjerë në një enë pa fund. Ky është problemi kyç dhe për këtë arsye duhet një ide. Dhe deri tani unë nuk kam ndonjë ide të re. Por ne jemi duke pritur qeverinë greke dhe negociatat e saj me institucionet”, ka deklaruar Schaeuble.

Sipas tij, qeveria e re greke ka shkatërruar çdo gjë që arriti qeveria e mëparshme dhe aktualisht nuk ka shenja që tregjet financiare të jenë të shqetësuara për një falimentim të mundshëm të Greqise, apo të daljes së saj nga zona e euros.

Në orët e fundit janë të shumta edhe mediat e huaja që publikojnë shkrime sipas të cilave disa prej shteteve të BE po përgatiten në mënyrë të fshehtë për mundësinë e një falimentimi të Greqisë brenda apo jashtë zonës së euros, skenare të cilat më pas përgënjeshtrohen nga qarqet politike.

Nga ana e saj, qeveria greke që duhet t’i paguajë rreth 1 miliard euro FMN-së deri në 12 maj, konsideron se gjithë ky presion bëhet me qëllim që ajo të pranojë masat shtrënguese që i imponojnë kreditorët, si reduktimi i pagave, i pensioneve dhe dëbimet kolektive nga puna.

Top Channel