Greqi, Tsipras: Do të biem dakord me kreditorët brenda Prillit

16/04/2015 00:00

Duke dashur t’u japë përgjigje gjithë spekulimeve në mediet e huaja, që flasin për një falimentim të mundshëm të Greqisë, kryeministri grek Aleksis Tsipras, në një intervistë të tij për agjencinë “Reuters” ka shfaqur optimizmin e tij se, deri në fund të Prillit Greqia do të ketë një marrëveshje me partnerët e saj dhe këto zëra do të mbeten veçse në letër.

“Me gjithë kakofonitë dhe deklaratat e ndërsjelltaqë rrjedhin në media, ne kemi veçse 4 pika kryesore ku nuk biem dakord me kreditorët, – ka thënë ai. – Dhe këto janë marrëdhëniet e punësimit, reformat në fushën e pensioneve, rritja e TVSH-së dhe privatizimet apo vlerësimi i pasurisë shtetërore. Por mbi të gjitha dallimet tona janë politike”, – ka theksuar Tsipras.

Ai është shprehur i bindur se “Europa nuk do të zgjedhë rrugën e shantazhit ekonomik mizor dhe imoral dhe se këto dallime do të marrin fund së shpejti”.

Deklaratat e Tsipras vijnë në një moment, kur ministri grek i Financave Varoufakis përgënjeshtron nga Uashintoni një publikim të fundit të “Financial Times”, se Greqia ka bërë kërkesë zyrtarisht te FMN-ja për të vonuar pagesën e detyrimeve të saj në muajin Maj, që shkojnë në rreth 1 mld euro, kërkesë që sipas gazetës është refuzuar nga organizmi financiar.

Gjithsesi, kryetarja e FMN-së, Christine Lagarde e ka këshilluar Athinën të mos vonojë pagesat.

“Asnjë vonesë në pagesë nuk është aprovuar nga bordi i FMN-së, në 30 vitet e fundit. Edhe kur kjo ka ndodhur, me disa vende në zhvillim, vonesa në të vërtetë nuk u pasua nga rezultate shumë të frytshme”, tha Christine Lagarde, përfaqësuesja më e lartë e FMN-së.

Ende nuk dihet, se për çfarë saktësisht ka biseduar Varoufakis me Lagarde, me të cilën është takuar për më shumë se 45 minuta, në një bashkëbisedim që – sipas burimeve qeveritare greke – është kryer në një frymë të mirë bashkëpunimi.

Ndërkohë, shpresa për një financim sa më të shpejtë të Athinës jep deklarata e orëve të fundit të ministrit gjerman të Financave, Shcauble, në Institutin “Brookings”. “Europa nuk është aq e fuqishme sa të humbasë një shtet anëtar të saj”, – ka theksuar Shcauble. Ai ka shtuar se “kreditorët e Greqisë nuk kanë thënë kurrë, se do të presin që reformat të realizohen në masën 100% , por sapo të shohin se do të ketë një progres në zbatimin e tyre, do të japin dritën jeshile për dhënien e menjëhershme të ndihmës financiare ndaj Athinës”.

Top Channel