Nga Aleksandër Çipa – Shumica e majtë prej kohësh ka qenë më në kohë për përgatitjet për procesin zgjedhor të 21 qershorit. Madje, preokupimi përgatitor i saj ka nisur qysh në kohën kur përfundoi projektin e ndarjes së re administrative të vendit dhe zgjodhi të reduktonte njësitë vendore në një numër rekord prej 61.
Opozita e djathtë, duke mbetur në pozita refuzuese, duket se i la për një kohë të pacaktuar përgatitjet dhe seriozitetin për një konkurrim me pretendime. Aktualisht, opozita, edhe në procesin e deklarimit dhe shpalljes së kandidatëve për kryetarë bashkish, është më e vonuar se shumica.
Kjo opozitë, njëkohësisht në këtë tur zgjedhor, po shënon rekordin historik të saj të një koalicioni minimalist. Ka mbetur vetëm me republikanët e Fatmir Mediut, madje dhe te ky aleat besnik i përhershëm ka lënë shijen e zemërthyerjes në rastin e pretendimit dhe këmbënguljes për kandidim të deputetit Agron Duka.
Ndërkaq, dy bashkëkryetarët e shumicës së majtë, Kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta, prej kohësh ripërsërisin besimin për një fitore të madhe në zgjedhjet e qershorit. Lehtësisht e mbyllën procesin përzgjedhës të kandidatëve dhe po më lehtësisht e ndanë “hisenë e kandidatëve” mes vedi.
Një dakordësi historike kjo brenda së majtës. Në fakt, mes dy udhëheqësve kryesorë të saj, pasi nën zë dhe në deklaratën e deputetit oponencial të Kryeministrit, zotit Blushi, lexohen edhe pakënaqësi, të cilat nuk shkaktojnë ende një diversion brenda PS-së.
Kryetari i LSI-së, Kryetari i Parlamentit, Meta, duke folur për kandidatin e së majtës në bashkinë më të madhe të vendit, atë të Tiranës shtoi: “… jam i bindur se diferenca do të jetë shumë e madhe”. E njëjta siguri konfirmohet edhe prej Kryeministrit Rama, qeverisja e të cilit gjendet aktualisht në ditë të patrazuara, ndonëse probleme dhe akuza të rënda herë pas here hidhen mbi individë dhe emërime të saj. Por dukshëm koha e mandatit të parë qeverisës rrjedh shpejt, sikundër edhe siguria mbetet evidente në sytë dhe sjelljet e tij.
Mirëpo zgjedhjet e këtij qershori mund të jenë më shumë komplekse nga sa shfaqen dhe nga sa i përgatit shumica. Opozita vërtet ka fytyrën dhe gjendjen e kryesuesit zyrtar të saj, zotit Basha, sikundër mund të quhet, udhëheqës ende i pabërë. Por në “zemër” të saj punon e mendon me zanatin dhe moshën e mjeshtrit, kryetari historik, më aktivi plak ndër gjithë të rinjtë.
Mësymja pretenduese e shumicës për fitoren e thellë apo të madhe, duhet të mos ndahet nga shtimi i dyshimit dhe i brengës për ruajtje dhe respektim të integritetit të votës dhe besueshmëri ndaj procesit. Kjo është një sprovë që ka nisur me kohë të parë skepticizmin dhe jo sigurinë apo tjetërsimin e brendisë dhe formës në raport me të shkuarën zgjedhore të këtij vendi. Kjo sfidë është më e madhe kësaj here për këtë shumicë.
Politikani Edi Rama nuk ka më sfidë fitoren e Bashkisë së Himarës apo të ndryshimit të hartës së bastioneve, por fitoren e një prove bindëse se në këtë vend, zgjedhjet mund të ndodhin shumë më ndryshe nga sa kanë ngjarë. A mund ta ketë këtë objektiv kjo shumicë? A i shërbehet këtij projekti nga qeveria “Rama” dhe e majta në pushtet?
Këto janë retorika të një shoqërie që jeton pikun e skepticizmit dhe të ironisë ndaj rilindjes së premtuar. Nuk është veç propaganda opozitare që ia ka dalë të godasë imazhin e kësaj shumice dhe produktit qeverisës të saj, por impasi në të cilin gjendet krejt e majta, për shkak të prishjes së parashikimeve të fushatës së 2013-s, kur mendohej se socialistët klasikë të këtij vendi do të ishin më shumë të përfshirë në administratë e pushtet.
Kjo “ëndërr” s’ka ngjarë dhe koha që pason në këto dy vjet po shton kësi pakënaqësish të vogla që shumojnë skepticizmin e madh. Këtij skepticizmi në këtë fushatë i mbishtohen edhe diskutimet apo qoftë edhe kritikat për emrat e zgjedhur si kandidatë për të majtën. Sidoqoftë, kjo shumicë me këto selektime ka thyer disa tabu.
Dy prej të cilave janë forma tejkaluese e procedurave klasike të statutit, si dhe ajo e rekordit të kandidateve femra. Analiza për rolin dhe peshën specifike reale që do të kenë në vendimmarrjen qeverisëse apo në vlerën e vetëqeverisjes dhe decentralizimit kësi kandidatësh, është herët të bëhet.
Por le të mbetemi tek entuziazmi i udhëheqësve Rama – Meta për fitore të madhe dhe te mundësia reale e kësaj shumice për ta arritur atë. Në kushtet e kësaj harte elektorale dhe në raport me mundësinë e ndikimit mbi institucionet që administrojnë procesin zgjedhor, kjo shumicë po jeton me fitoren e parathënë.
Përballë saj, opozita ka bërë gati ankesën dhe paralajmërimet. Kryetari i PD-së, zoti Basha, në veprimtarinë zyrtarizuese të kandidates Grida Duma për Bashkinë e Durrësit paralajmëroi dy kundërshtarët e vet: “… Mos t’ju shkojë mendja t’u prekni qytetarëve zgjedhjet e lira, votën, gjykimin e lirë. Mos provoni të vidhni e të blini votat se ju pret fundi më i keq. Kaq për këtë herë, do t’i rikthehemi çdo ditë kësaj teme madhore …”
Mjafton fjalia e fundit për të kuptuar se opozita e ka fiksuar në axhendën e vet të ligjërimit ditor dhe të ankesës publike, çështjen e akuzës për cenim të integritetit të votës dhe paragjykim të procesit zgjedhor. Pozita ankimtare e opozitës është shpallur, si rëndom gjatë këtyre 24 viteve nga të gjitha opozitat.
Por në brendësi të kësaj axhende nuk mund të përjashtohet edhe një strategji, e cila mund të ketë vlerën e një kurthi për vetë shumicën. Fitorja e madhe e pretenduar paraprakisht nga shumica, mund të ketë vlerën e një skenari–kurth. Kjo fitore “e madhe” të sjell në kujtesë pozitën e dikurshme të qershorit të vitit 1996 të ish-presidentit Berisha, i cili nuk dinte ç’të bënte me fitoren e madhe, pas tërheqjes së opozitës së majtë.
As Edi Rama dhe as Ilir Meta nuk janë sot në pozitën e dikurshme të Presidentit Berisha, por të dy në raport me fitoren e pretenduar kanë një raport ndarës. Do t’i dojë të gjitha bashkitë e veta Rama dhe të gjitha ku ka të vetët Meta?
Nëse po, atëherë marrëveshja e tyre e paska një mosmarrëveshje të rezervuar për kapitullin numërues të votave në datën 21 qershor. Shenjat dhe djallëzia janë ende në ndërgjegjen e politikanëve tanë. Rolet dhe vendet ku gjenden aktorët sot, janë të ndryshme, skena është po ajo.
Top Channel