Thirrja për kompromis e eurodeputetëve, a do ta dëgjojnë politikanët?

14/04/2015 00:00

Për të folur për aktualitetin politik në vend ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” analisti Lutfi Dervishi.

Për sa i përket thirrjeve të eurodeputetëve për kompromis, zoti Dervishi tha se politikanët në Tiranë vështirë se do t’i dëgjojnë, sidomos tani në prag fushate.

Pandi Gjata: Vëmendja ditën e djeshme nuk ishte në Tiranë, por në Parlamentin Europian ku u debatua gjatë dhe politikanët atje u morën me çështjet e brendshme të Shqipërisë. Në kornizë të një debati për rezolutën për Shqipërinë ishte thirrja për kompromis për bashkëpunim për të mos përsëritur historitë e këtyre 25 viteve. A do t’i dëgjojë politika e Tiranës këshillat e të gjithë eurodeputetëve, të cilët u morën shumë gjatë me problematikën e Shqipërisë?

Lutfi Dervishi: Nëse flasim për një kohë të shkurtër, jo, sepse duke qenë fushata elektorale nuk ka gjasë të dëgjohen. Fushata elektorale nuk është bashkëpunuese dhe thirrjet për kompromis vështirë të dëgjohen. Në një kuptim afatgjatë, nëse duam t’i hapim negociatat, atëherë besoj se thirrjet do të dëgjohen, sepse edhe rezoluta në thelb nuk ka asgjë të re përveç gjërave të artikuluara në 10 vitet e fundit. Ajo që është shtuar është çështja e dekriminalizimit dhe e respektimit të marrëveshjes së dhjetorit mes forcave politike.

Pandi Gjata: Ata janë marrë shumë gjatë me ne dhe problematikën e brendshme. Para se të shkonim në këto diskutime ishin gati 192 amendamente, të cilat u grumbulluan në 16. Gazetarja e Top Channel në Bruksel, Arta Tozaj, na ka bërë të ditur se politikanët në Shqipëri kanë dashur të jenë sa më prezent, duke telefonuar në Bruksel, të majtët për të majtët dhe të djathtët për të djathtët…

Lutfi Dervishi: Veçantia e Shqipërisë në raport me paraqitjen e vendit në institucionet ndërkombëtare është se ne tensionin e brendshëm nuk e kemi për gjë që ta shfaqim para të huajve, duke shfrytëzuar edhe përkatësitë politike. Shqipëria duket ende se ka nevojë për një garant për marrëveshjet. Një nga marrëveshjet e bujshme që u arrit me ndërmjetësimin e PE-së ishte ajo e dhjetorit dhe të gjitha këto bëhen me garantues të jashtëm. Kjo në një farë mënyre është pozitive se ti je pjesë e BE-së dhe je nën kujdestari dhe nga ana tjetër tregon se klasa politike ende nuk është maturuar për të arritur marrëveshje dhe për të ecur përpara. Përveç kësaj, ajo që arrihet nuk do të thotë se nuk shkon në një rrugë të drejtë, por mund të jetë një spirale, e cila ka edhe kthesa mbrapa. Në një farë mënyrë Shqipëria ka qenë e vlerësuar për rolin konstruktiv, por edhe këtu dalin zëra se duhet të merresh me një deklaratë të Kryeministrit apo të ndonjë tjetri. Patëm një rritje të retorikës nacionaliste në sensin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit, e cila ishte pak e kuptueshme, por rikthimi te retorikat boshe në formën e presionit ndaj Brukselit, apo në formën e përfitimeve politike për audiencat lokale, nuk është një gjë e dëshiruar. Hapi i dytë negativ besoj se është për çështjen e dekriminalizimit, kjo është një gjë e paimagjinueshme.

Pandi Gjata: Për ta aktualizuar edhe me zgjedhjet lokale, ka nisur një debat ku palët kërkojnë të zbatojnë këtë marrëveshje. Fushata ka nisur para kohe dhe po sulmohen kandidatët…

Lutfi Dervishi: Në mënyrë ironike, kjo të lë të guxosh të thuash që ka nevojë për një marrëveshje të dyte për dekriminalizimin e pushtetit lokal. Unë nuk e kuptoj dot këtë afeksion kaq të madh ndaj banditëve dhe njerëzve banal që i ka politika dhe i kandidon për poste të rëndësishme. Ky është një vend i vogël, ku gjysma e vendit njeh gjysmën tjetër dhe realisht është e vështirë t’i japësh përgjigje pyetjes se për çfarë i duhen politikës njerëzit banal, njerëzit me precedent, qoftë edhe ata që ndodhen në gjykim. Kjo tregon se procesi dekriminalizimin në nivel qendror do të jetë thjesht luftë politike. Në të vërtetë nuk është dekriminalizim, por është humbje kohe.

Pandi Gjata: Si e ke parë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve? E majta është goxha e avancuar me publikimin e emrave, duke përjashtuar Tiranën dhe Vlorën, opozita është një hap më mbrapa duke zyrtarizuar vetëm emrat e kandidatëve për disa bashki të vogla. A po zgjidhen këtë kandidatë, të cilat sipas sondazheve të partive politike janë emra fitues, apo janë të zgjedhur sërish nga kryetarët?

Lutfi Dervishi: Përgjithësisht janë emra të zgjedhur nga kryetarët. Në këto zgjedhje përgjegjësia e kryetarëve është më e madhe dhe ndikimi i tyre është më i madh, sepse numri i tyre është më i vogël. Ajo që është parë është se i kemi të gjitha edhe kandidatë të rinj, edhe kandidatë për herë të tretë, edhe kandidatë që e kanë bërë çorbë qytetin. E vetmja gjë që është keqardhje është mungesa e CV-së së kandidatëve, gjithashtu të bën përshtypje se ka një prirje nga të dy palët për ta kthyer në një fushatë politike dhe jo në një fushatë të zgjedhjeve lokale. Këto zgjedhje duhet të jenë një test për reformën; një test se ligji për pushtetin lokal nuk është ai i riu; një test për të para sa seriozisht është marrë dekriminalizimi; një test për të parë demokracinë e brendshme të partive politike. Forcimi i pushtetit të kryetarëve ka sjellë kriminalizimin e Parlamentit dhe kjo mund të sjellë edhe kriminalizimin e pushtetit lokal. Diçka që mbetet për t’u parë në këto zgjedhje janë kandidatët e pavarur, pasi mund të ketë zëra që kërkojnë të përfaqësojnë një alternativ tjetër ose të testojnë terrenin për një alternativ tjetër.  

Pandi Gjata: Për Tiranën është rasti i Gjergj Bojaxhi…

Lutfi Dervishi: Në një sens do të shikohet jo aq shumë Tirana, por në lokalitete të vogla do të shikohet efekti i kandidatëve të pavarur. Deri tani kemi parë dorëheqje deputetësh, kjo sepse procesi nuk është demokratik, i vishet një vello demokratike por nuk është i tillë. Ky proces nuk buron nga baza apo nga strukturat, nuk është një proces që të çon në një lloj gare. Në këtë rast unë them që ka hapa mbrapa me ndryshimet kushtetuese që çuan në forcimin e pushtetit të kryetarëve të partive, i cili nuk solli elitë në Parlament, por solli elitë kriminale.

Pandi Gjata: Duket se do të kemi një fushatë të nxehtë, jo për qytetin, por përplasja e dy blloqeve, të majtët dhe të djathtët. Në këtë histori, ditë më parë u ngrit edhe një padi për zotin Basha për ngjarjet e 21 janarit. A e shikoni edhe këtë çështje si pjesë të tensionit që mund të jetë në prag të zgjedhjeve lokale?

Lutfi Dervishi: Pjesë e lojës, padi qesharake, 2 vjet pasi je në pushtet. Ka pasur edhe padi të tjera ndaj ish-ministrave që morë më shumë bujë dhe vëmendje. Në gjykatë nuk është ajo që di apo ajo që ti mendon se di, por është ajo që ti mund të provosh dhe politika nuk shquhet për prova dhe fakte. Gjëra të tilla në fillimin e fushatës janë shashka dhe tymnaja të fushatës. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA