“Shqip”, Shqipëria e Madhe

13/04/2015 00:00

Nga Ulqini kryeministri Edi Rama deklaroi se bashkimi kombëtar i
shqiptarëve do të ndodhë, duke nënkuptuar këtu më së shumti integrimin e
gjithë vendeve të rajonit në Bashkimin Europian.

Kjo deklarata ka ngjallur reagimin e Brukselit dhe të vendeve të tjera të rajonit, sidomos Beogradit, por edhe Podgoricës që nuk i qetësoi as qartësimi i qeverisë shqiptare se deklaratat e Ramës janë bërë për të theksuar rëndësinë e që ka integrimi në Bashkimin Europian për shqiptarët.

Por çfarë kishte parasysh kryeministri Edi Rama me deklarimet, në Ulqin? Pse reaguan përfaqësitë e huaja pas këtyre deklaratave?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dhanë përgjigje të ftuarit në një panel nga Kosova dhe Shqipërië në emisionin “Shqip” të kësaj të hëne.

Përfaqësues të shoqërisë civile nga trevat mbarëshqiptare, përfaqësues të politikës në Kosove dhe me komentatorë të njohur për Ballkanin dhe rolin e ri të shqiptarëve në të ishin të ftuarit e gazetares Rudina Xhunga.

Emisioni nisi me një pjesë të deklaratës së kryeministri Rama në Ulqin.

“Nuk është më koha e dhjetë vjetëve më përpara, kur shqiptarët kishin nevojë për Europën dhe e kishin të nevojshme Europën, ndërkohë që Europa dhe mund të mos i kishte nevojë shumë shqiptarët. Sot, Europa ka nevojë për shqiptarët njësoj siç kanë nevojë shqiptarët për Europën. Nëse Europa e shikon Ballkanin dhe shikon zhvillimin në Ballkan si gjëra pa lidhje me fatet e saj, nëse Europa nuk arrin të kuptojë qe proceset që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon, duhet t’i bashkëngjisë vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mund vërtet që të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorikë. Jam i bindur se ajo që ne kemi filluar vjet në Prizren, dhe që kemi vazhduar sivjet, që në fakt është puna e çdo dite me Qeverinë e Kosovës, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Europian, që do të jetë i plotë, do të jetë i sigurt dhe në të njëjtën kohë duhet të jetë shprehje përfundimtare e projektit të paqes për gjithë vendet e Europës”, deklaronte Rama.

Rama shton se ky bashkim mund të kuptohet në dy mënyra, e para në formën klasike dhe tjetra përmes njësimit të ekonomisë dhe bashkëpunimit duke ‘zhdukur’ vijën kufitare e më pas anëtarësimin në BE.

Për analistin Mustafa Nano, deklarata e Ramës ishte e papritur. “Nuk e kam pritur patriotizimin e Ramës. Nuk di si ta quaj, mund të jetë edhe sjellje taktike që i përshtatet rrethanave dhe tenton të mbrojë avantazhet elektorale në Shqipëri”, tha ai.

Analisti tjetër, Agron Gjekmarkaj tha se zakonisht të tilla deklarata, që ai e quajti nacionaliste, hidhen kur diçka shkon keq në qeverisjen e vendit dhe tentohet që përmes tyre të hidhet një shashkë.

“Të njëjtën gjë bëri edhe Berisha, por në vitin e 7 të qeverisjes së tij”, tha ai.

Edhe Arbër Zaimi nga Lëvizja Vetëvendosje ndau të njëjtin mendim.

“Ka një gjë me Ramën, pamundësia për të sjellë një moment të ri ekonomik për Shqipërinë. Ka një problem në Shqipëri, ndaj bëhet kjo deklaratë”, deklaroi ai.  

Të ftuarit thanë se deklaratat janë bërë në një qytet me simbolikë të veçantë për shqiptarët, megjithatë për ta asnjëherë shqiptarët si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri nuk flasin seriozisht për bashkimin.

Bashkimi, ranë dakort ata, nis përmes njësimit të ekonomisë, një programi kulturor të njëjtë dhe tregtisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA