Politikanët sot drejtojnë njëlloj si një lidership ndërmarrjen e vet. Ndonëse më parë ata drejtonin duke patur parasysh të mirën publike, sot një individ drejton individë të tjerë duke patur parasysh interesin e vet dhe ky model tanimë është përhapur edhe në botën politke.
Në këto konkluzione ka dalë profesori i Ipag Business School në Francë, Guillaume Bigot, duke folur mbi sistemet e drejtimit të sotëm.
“Në boten e sotme, modeli i lidershipit politik inspirohet dhe ndikohet nga bota ekonomike dhe nga ana tjetër modeli i veprimit, ndryshimit politik imiton lidershipin ekonomik. Më përpara njerëzit politikë drejtonin duke patur parasysh të mirën publike, kurse në ndërmarrje, sot, një individ drejton individë të tjerë duke patur parasysh interesin e vet dhe ky model ku secili interesohet për veten e vet ka kaluar tani dhe në botën politike. Më parë sigurisht ne kishim individë dhe shumë të fortë në politikë, por problemi është se dikur këta individë në politikë i shërbenin të mirës publike dhe përpiqeshin të frymëzoheshin nga çështje të përgjithshme. Sigurisht, ata kishin ambicjet e tyre por asnjëherë për interesin e tyre personal. Tani situata ka ndryshuar sepse edhe njerëzit politikë varen shumë nga interesat ekonomike”, deklaron Bigot.
Për lidershipin politik në Shqipëri të gjithë ankohemi, por sërish kur shkojmë në kutinë e votimit zgjedhim të njëjtët. Shoqëria shqiptare vuan nga mungesa e alternativave të reja.
“Në politikë kjo nuk është e vërtetë vetëm për Shqipërinë, por në të gjithë planetin situata është e tillë. Ka shumë pak rilindje të ideve dhe programeve të reja dhe në momentin kur ky aspekt ideologjik është bllokuar, tani secili shikon për interesin e vet personal dhe klasa politike në një moshë të caktuar, e vjetër, kapet pas pushtetit dhe nuk e lëshon atë sepse, siç ju thash, secili tani lufton për veten e vet, për interesat e veta dhe jo për ide të përgjithshme, prandaj vjen dhe ky ngurtësim, kjo lidhje me pushtetin dhe kjo mungesë e ardhjes së njerëzve të rinj me ide të reja. Përgjigjia ime e dytë është se në të gjithë botën e sotme, brezat e rinj të cilët kanë dëshirë për pushtet, pushtetin nuk e shohin tek politika sepse mendohet gjithmonë e më shumë që pushteti në politikë nuk vlen ndonjë gjë në botën e sotme, por përpiqen të marrin një pushtet në botën ekonomike”, nënvizon Bigot.
Duke e thjeshtëzuar artin e të drejtuarit duke iu referuar fabulës se Karvanit të Kafshëve, profesor Bigot thotë se më e mira do të ishte që një karvan kuajsh të drejtohej nga një klalë, por më e mira pastaj është që ai të mos drejtohet nga një gomar.
“Sigurisht, më e mira në të gjitha rastet do ishte që të kishit një karvan me kuaj që të drejtohej nga një kalë, i cili të ishte dhe më i mirë se të gjithë kuajt që ai drejton, por ky rast është një rast shumë teorik dhe duke mos qenë kështu në praktikë, unë do të mendoja që më mirë do të ishte që të kishim një ekip i cili mund të përbëhej nga individë jo aq të mirë sa shefi i tyre dhe nëse do të kemi një shef të mirë, një drejtues i mirë është në gjendje që dhe një tufë gomerësh ta drejtojë aty ku duhet për të arritur sukses”, shprehet Bigot.
Profesori francez sjell si shembull rastin e Kubës me Fidel Kastron dhe Shqipërinë me Enver Hoxhën, të cilët nga pikëpamja politike ishin dy Tiranë, të cilët, secili në hesapin e vet, u përpoqën dhe arritën që të kundërshtonin fuqitë e mëdha, sigurisht për interesat e tyre, por dhe sepse ishin shumë të aftë për ta bërë këtë gjë me gjithë tiraninë e tyre.
Top Channel