Ndotja nga mbetjet spitalore, pezullohet një kompani, nuk tërhiqte mbetjet

12/04/2015 00:00

Inspektorati Sanitar i Tiranës ka nisur kontrolle rigoroze ndaj subjekteve private që prodhojnë mbetje spitalore, të cilat jo pak herë i derdhin ato në kazanët ku grumbullohen mbetjet urbane.

Kontrolli i këtyre subjekteve ka nxjerrë në pah një problematik më të theksuar me kompanitë e licencuara për transportin dhe përpunimin e mbetjeve spitalore, të denoncuar shpesh edhe në media.

Inspektorët kanë pezulluar licencën dhe ndëshkuar me gjobë firmën e licencuar “EuroTim”, e cila lidhte kontratë me subjektet, u merrte para dhe nuk bënte grumbullimin e mbetjeve spitalore.

“Firma kishte një kapacitet përpunues qesharak në raport me mbetjet spitalore. Subjektet private ankoheshin se kjo firmë nuk shkonte të merrte mbetjet spitalore. Edhe pse nuk ishte e pajisur me akt miratimi higjeno-sanitar vazhdonte dhe lidhte kontrata me subjektet private, e cila është e pa tolerueshme. Firma u dënua me masë urgjente, mbyllje provizore dhe me gjobë 1 milion lekë të reja”, u shpreh Gjergji Koja, Inspektorati Sanitar i Tiranës.

Me gjobë është ndëshkuar edhe firma tjetër “Meditel” për parregullsi në dokumenta. Ndërkohë që janë inspektuar klinikat stomatologjike në Tiranë.

“Kemi inspektuar afro 295-300 klinika stomatologjike, nga të cilat 151 klinika nuk kishin fare kontratë për evadimin e mbetjeve spitalore. Kjo është një situatë e pafalshme dhe padyshim që duhet vënë dorë në mënyrë që mbetjet spitalore të trajtohen një herë e mirë ashtu siç duhet. Duhet disiplinuar marrja, evadimi dhe shkatërrimi i këtyre mbetjeve spitalore”, shtoi Koja.

Inspektorati Shtetëror Sanitar është duke ushtruar kontrolle ndaj institucioneve publike dhe private të mëdha që prodhojnë mbetje spitalore. Kreu i Inspektoratit Sanitar të Tiranës, Gjergji Koja, thotë se duhen bërë disa ndryshime në vendimin e Këshillit të Ministrave për përpunimin e mbetjeve spitalore në mënyrë që të forcohen kontrollet dhe ndëshkimet ndaj subjekteve që prodhojnë mbetje spitalore, por abuzojnë me menaxhimin e tyre.

Top Channel