Anglishtja e çuditshme e Ramës

12/04/2015 00:00

Monika Shoshori Stafa – Më 14 qershor të vitit 2012, Kosova mori të shumëpriturën Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave. Në një ceremoni të vogël në Bruksel, komisionerja për Punët e Brendshme, Sesilia Malmstrom, ua dorëzoi atë zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, duke u shprehur se ajo ishte “vërtet e kënaqur që arriti të paraqesë udhërrëfyesin e pritur me padurim shtetarëve kosovarë”.

Dokumenti sa historik, e po aq shumë i përfolur, listonte të gjitha kërkesat dhe reformat që Kosova lindte nevoja t’i përfundonte shpejt. Pas kësaj, populli i saj do të ish i lirë të lëvizte në zonën Shengen, e përbërë kryesisht nga vendet e BE-së. Kështu tha Europa, kështu do të duhej detyrën ta kryenin njerëzit e shtetit të ri.

Nën administrimin e Kombeve të Bashkuara pas rreth nëntë vjetësh, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Kaluar mes një kalvari përpjekjesh të përgjakshme prej një lufte brutale nga ushtria serbe, ajo shënoi rreth 10 900 të vrarë në luftën e vitit 1998-1999. Afër një milion u dëbuan jashtë vendit dhe qindra e mijëra shtëpi u dogjën deri në themel. Të tjerë, me mijëra, listohen si të humbur e historitë e tyre nuk po shkruhen ende. Të detyruar nga trupat e aleatëve pas një kokëfortësie 78-ditore, kush nuk i kujton militarët serbë, që u detyruan të tërhiqeshin pas përgjakjesh politike e ushtarake. Goliathi kish hyrë në mes. Por historia vazhdon.

Serbia nuk e ndal lobimin e saj për të qenë një violinë e parë në refuzimin e njohjes së aleatëve të saj ndaj shtetit të Kosovës, ndërsa 110 anëtarë të OKB-së e kanë njohur Kosovën, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe. Ende jo, pesë vende të tjera anëtare të BE-së. Ashtu sikundër edhe Izraeli nuk e ka njohur ende zyrtarisht megjithëse e ka pranuar de facto. Tej të gjithave arsye më e bindshmja është frika nga përpjekjet e minoriteteve në tokën e tyre. E deri sa këto ndryshime të ndodhin, Kosova nuk mund të aplikojë për anëtarësim në BE. Ta quajmë politike a jo, ngjan më shumë sesa një lloj diskriminimi i thjeshtë. Shqiptarët vetë, pasardhës të një prej mbrojtësve të krishterimit dhe aleatit papnor Skënderbeut, nuk do të pranonin assesi të vuanin nga kjo. Fundja s’do t’u falej aspak.

Nën një kohë të gjatë e të turbullt, të pafat njëkohësisht kundrejt më të fortëve të Europës, ajo, Kosova e lodhur nga shkundjet e murtajave të shekujve do të duhej të priste edhe më. Mbetet ende vendi i vetëm në Ballkan, qytetarët e të cilit luten nën mallin e të parëve, të kenë një dokument-letër për të lëvizur në zonën Shengen të Europës së sertë. Ndërsa fqinjët e Kosovës – Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – iu nënshtruan një procesi të liberalizimit të vizave kryesuar nga BE-ja, mes viteve 2008 dhe 2010, Kosova ka mbetur një “geto e izoluar” prej regjimit të vizave, një histori deja vu prej historisë së kohës së luftës. Që prej atyre viteve, populli i saj, mban një dokument identifikimi që i vlen sakaq të lëvizë vetëm brenda për brenda vendit apo dhe në rreth 12 vende të tjera përfshirë këtu fqinjët si Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, sigurisht, por assesi në Europë. Paradoksalisht herët e vendosur mes këtyre trojeve “të shkulme” që prej zanafille e pavarësisht se drita e fundme e saj është porta në Bashkimin Europian, njerëzit e saj nuk mund të fluturojnë lirisht. Në korrik 2009, bordi këshillimor i një Rrjeti Politik Europian me emrin European Stability Initiative, ndër të cilët ishin dhe një prej ish-ministrave të Brendshëm të BE-së, Xhuliano Amato dhe Oto Shili publikuan një letër të hapur duke vënë në dukje shqetësimin e tyre lidhur me këtë proces të pakuptimtë pengjesh vizash me Kosovën. Më shumë se kaq kërkonin që shtetit më të ri në Ballkan, t’i dorëzohej dokumenti i detyrës së shtëpisë. Kosova s’e kishte këtë ende. Asokohe në letër shkruhej: “Ne jemi të shqetësuar që Kosova është lënë jashtë këtij procesi … jepini shansin ta ketë udhërrëfyesin këtij vendi e pasi të shihni se si do të ecin me reformat dhe kushte e vëna, atëherë kërkesa e vizave duhet të shfuqizohet menjëherë”. Por që prej atij sahati kanë kaluar plot gjashtë vjet. Pas dorëzimit të udhërrëfyesit tre vjet të shkuara, Kosova mbetet një geto e vogël mes Ballkanit. U tha se procesi do të ishte “i rreptë, por i drejtë”, sikundër atij i ishin nënshtruar edhe fqinjët e saj. Por rezultoi jo për fat të mirë, të ish ngritur një sistem i ngurtë e i pandershëm kërkesash për vetëm 1.7 milionë qytetarë të saj, duke e kthyer vendin e vogël në një “kuti të zezë” në domenin e saj paneuropian. Po përse i pandershëm? Çfarë do të thoshte kjo? Matësve të kuotave të situatës u rezulton se ndryshe nga shtetet fqinje që kishin një gjuhë më të qartë dhe detyra më të mirëpërcaktuara për të kryer, për Kosovën e ngratë vlerësimet vijnë gjithmonë të paqarta dhe konfuze. Veç kësaj, sipas tyre, mungon një listë e qartë e hapave të mëtejshëm të ecjes para të saj.

Ndaj prej javësh shumëkush do të lexonte nismën e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, për lëshimin e një thirrjeje shqetësuese BE-së për t’u dhënë fund paragjykimeve anti-Kosovë. Ato insistojnë duke i bërë thirrje Brukselit, për ta pasur në vlerësim më qartësisht udhërrëfyesin e Kosovës, duke i mëshuar detajimit të ecjes para të këtij procesi dhe lejimit të shqiptarëve të Kosovës të gëzojnë lirinë e tyre të lëvizjes, një nga parimet kryesore themeluese të BE-së. Rrjeti europian që lobon fuqishëm për ardhmërinë e mirë të Shqipërisë dhe Kosovës ka kohë që ngre alarmin për vonesën e pashembullt të regjimit të vizave që Brukseli mban ndaj Kosovës. Ndaj, jo pa qëllim nuk mungoi KM Rama të shpërthente andej nga fundi i marsit ndër akuza ndaj Brukselit për indiferencë të pashembullt, duke e cilësuar si një turp mosheqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Jo pa qëllim e lëshoi këlthitjen e tij të paramenduar deri në tryezat e Brukselit, duke e ditur mirë se vëmendja ndaj një sistemi të padrejtë politik ndaj kosovarëve, më shumë sesa dekori nacionalist në sfond do t’i shkundte jo pak karriget e teknokratëve në institucionet e tyre pranë restoranteve si “Au crocodile”. E sigurt kjo, për sa kohë shqiponja dykrerëshe e shtrirë në një sfond të rehatshëm mu në mes të Tiranës zyrtare dhe deklarata e tij se “Shqipëria dhe Kosova, janë një bashkim i pashmangshëm” do t’i risillte në kujtesë administratës së Brukselit, ndoshta një erë të re politike, jo më dembele dhe po aq jo të verbër, që do të duhet të vazhdojë të luajë lidhur me këtë shtet të vogël në Ballkan. Zyra e shtypit atje i cilësoi këto deklarata sigurisht provokative dhe të papranueshme, por ashtu si Rama dhe ata e dinë mirë për çfarë bashkimi shqiptarësh bëhet fjalë. Shpeshherë, kur sistemet (politike apo gjithçfarë) ngrihen e fillojnë të ngurtësohen, janë individë ata apo grupe të tilla që me kurajën e një fryme të re lëvizjeje, përpiqen të shembin mure të tilla. Sigurisht gjuha e tyre nuk mund, nga ky çast të jetë e drejtpërdrejtë, por fuqishëm e debatueshme dhe e kundërshtueshme për t’u përkthyer e kuptuar mirë. Ndaj më shumë sesa deklarata jo mirë të përkthyera, ato ngjajnë me ulërima vëmendjesh ndaj një populli, identiteti i të cilit është pashmangshmërisht i njëjtë me fqinjët e standardeve të tjera, që nuk i lexojnë mesazhet mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA