Për më shumë informacion mbi situatën politike në vend dhe zhvillime të tjera, në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë i pranishëm analisti Skënder Minxhozi.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatorit Ilir Paço, Minxhozi ka shprehur pakënaqësinë e tij mbi vonesat e dy partive kryesore të skenës politike shqiptare për kandidatët për Bashkinë e Tiranës.
Ndërsa sa i takon padisë së paralajmëruar nga ministri i Brendshëm në adresë të liderit të opozitës Lulzim Basha lidhur me çështjen e 21 Janarit, Minxhozi ka vlerësuar se një veprim i tillë në kohë fushate rrezikon të deformojë çështjen.
Zoti Minxhozi, PS zyrtarizoi 32 kandidatë, ndërkohë që s’ka ende një vendim për Tiranën dhe Vlorën. Ndërsa opozita ka zyrtarizuar më pak. Si ju duket situata?
Skënder Minxhozi: Procesi më duket me vonesë, palët janë vonë. Kjo shpjegohet nga çështjet e tjera të politikës, si afera Doshi-Frroku. Sa i përket palës qeverisëse, që nga Shkodra e deri në bashkitë jugore nuk ka pasur surpriza. Janë kryetarë bashkish të ricikluar që nuk do të doja të ishin. Nga ana tjetër do të preferoja të dija cili është kandidati i opozitës për Tiranën. Opozita është vonuar edhe më shumë. Kryetari i saj Lulzim Basha ka bërë gafa, si kandidimi i Xhelal Mziut, që u dënua me 2 vjet burg, për Bashkinë e Kamzës. Nuk ka një emër as për Bashkinë e Durrësit, për të cilën ka një kaos të madh, duke parë edhe insistimin e PR. Ndërkohë që jJanë edhe partitë e vogla që janë afruar me Ramën dhe i kanë ikur opozitës.
Pse mendoni se është vonë?
Skënder Minxhozi: Mendoj kështu sepse opozita duhet të ishte pala që duhet t’i priste me padurim zgjedhjet. Është ajo që duhet të kërkojë që të ketë një përballje me qeverinë në një moment si ky, kur shumica ka jo pak probleme me deputetët e saj, kur ka shumë të pakënaqur, etj. Pra, nuk ka logjikë sesi opozita të mos jetë gati me emrat që duhet të kishin dalë tashmë.
Dje u njoftua padia ndaj Lulzim Bashës lidhur me ngjarjet e 21 janarit, cili është mendimi juaj?
Skënder Minxhozi: Natyrisht që padia do rrisë tensionet politike dhe do tentojë të ndikojë në zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit. Jam i mendimit se për këtë çështje pala qeverisëse është shumë vonë. Kjo çështje nuk gjendet në sirtaret e gardës, edhe pse duhet të shkohet edhe aty. Kjo çështje ndodhet në investigimin që autoritetet amerikane kanë bërë për të. Ndërkohë, duke qenë se jemi në fushatë ka rrezik që kjo çështje të futet në ingranazhet e fushatës dhe të dëmtohet.
Top Channel