Debate në Kuvend për “Bankers Petroleum”

09/04/2015 00:00

Ndryshe nga sa pritej, nuk ishte aq i pranishëm debati në Parlament për shpërthimin në Marinzë. Reagimi për mungesën e deputetëve në sallë erdhi nga ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa për socialistët ka një tjetër fakt pse demokratët, sipas tyre, kanë mbrojtur kompaninë.

Jozefina Topalli tha: “Ajo që kemi parë në Marinzë është e tmerrshme. Nëse kjo që ka ndodhur në vendin tonë, do të kishte ndodhur në një vend tjetër, a do ishte bosh salla e Parlamentit? Është tragjike.”

Deputeti socialist Taulant Balla, u përgjigj: “Si ka mundësi që nuk e përmende emrin e kompanisë zonja Topalli? E di unë pse. Sepse ndër kandidatët e rreshtuar nga Partia Demokratike në Fier për kryetar Bashkie ka dalë drejtori i ‘Bankers’-it. Prandaj nuk e tha emrin e kompanisë. ‘Bankers’-i është sponsorizues i fushatës së PD-së në vitin 2013”.

Ndërsa për demokratët, sjellja e qeverisë ndaj “Bankers” është një shembull i keq dhe frenues për investitorët e huaj, për Erjon Braçen nuk duhet të ketë dallime në barazinë para ligjit.

Deputeti Florjon Mima u shpreh: “Kryeministri i bëri gjyqin një investitori tjetër që punonte në naftë. Ai kishte investuar 1.2 miliardë dollarë, nga të cilat, shteti ynë, pa bërë asnjë punë, ka fituar 500 milionë dollarë. Atij i është bërë gjyqi”.

Ja edhe përgjigja e Erjon Braçes: “Nuk ka pasur asnjë lloj kontrolli mbi këtë kompani. 1.2 miliardë dollarët që ajo deklaron duhen vërtetuar me fatura. I keni dhënë të drejtën asaj kompanie të mos ketë matës në pikat ku grumbullon naftën dhe e nxjerr për tregtim. Ky është problemi”.

Top Channel