Meta takon Hasanin: Zbatimi i Kushtetutës u shërben të gjithë qytetarëve

08/04/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u takua sot me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasani, të cilin e vlerësoi për angazhimin disavjeçar në drejtimin e një institucioni të rëndësishëm, siç është Gjykata Kushtetuese.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, z. Meta shprehu mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë në forcimin e mëtejshëm të institucioneve kushtetuese dhe shtetërore në Kosovë, si një garanci për mirëfunksionimin e jetës demokratike të vendit dhe për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “Kushtetuta dhe zbatimi i saj u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi ai.
 
Ndërsa z. Hasani shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme institucionale të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe mirënjohjen për kontributin e Kuvendit të Shqipërisë në këtë drejtim.
 
Meta dhe Hasani vlerësuan se “konsolidimi i jetës institucionale në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, e përshpejton ritmin e integrimit europian të të gjitha shteteve të rajonit tonë”.
 

Top Channel