Sindikata: Mësuesit, pa kontrata kolektive. Synohet krijimi i një tjetër sindikate

07/04/2015 00:00

Sindikalistët kanë paralajmëruar fillimin e protestave, pasi prej tre muajsh Ministria e Arsimit nuk ka firmosur kontratat kolektive me Federatën e Sindikatave të Arsimit dhe Sindikatën e Pavarur. Kjo vonesë rëndon drejtpërdrejt mbi mësuesit, të cilët mund të emërohen dhe shkarkohen nga drejtorët e shkollave, pasi ata nuk kanë një kontratë e cila i mbron.

“Qëllimi i këtij qëndrimi është i qartë. Të bëhen përpjekje për ta zvarritur procesin, për t’i lënë mësuesit pa mbrojtje ligjore, me qëllim që të kenë dorë të lirë për çdo lloj testimi apo veprime të tjera, përfshi emërimet, lëvizjet dhe largimet nga puna të mësuesve, të cilët i mbrojnë sindikatat nëpërmjet kontratës kolektive”, shprehet Xhaferr Dobrushi, kryetar i FSASH.

Por, ajo çka cënon drejtpërdrejt mësuesit është heqja e një neni në ligjin e ri të Arsimit Parauniversitar, ku mësuesit përzgjidheshin nga një bord, ku ishin mësues, prindër dhe drejtori i shkollës. Tanimë, emërimi do të bëhet vetëm nga drejtori.

“Në këtë proces po bëhen orvajtje, sidomos nga disa drejtorë të paaftë shkollash, të emëruar jashtë çdo kriteri vitin e fundit, të cilët duke shkelur rëndë Kodin e Punës që ua ndalon rreptësisht të mbështesin një sindikatë kundër një tjetre, e po mbështesin krijimin e një sindikate fantazmë, që s’ka asnjë lidhje me arsimin e që është shprehur publikisht në mbështetje të Ministrisë së Arsimit për testimin e mësuesve dhe çdo akt tjetër në kurriz të tyre”, deklaroi Dobrushi.

Kreu i Federatës së Sindikatave të Arsimit, Xhaferr Dobrushi tha se po punohet për krijimin e një tjetër sindikate, e cila do të mbështetet nga Ministria dhe që pritet të kryejë testimin e mësuesve.

“Nga shumë kandidatura për të zënë vendin sivjet, zgjedh dy prej tyre. Ndërsa drejtori i shkollës emëron njërën prej këtyre të dyve, duke e kufizuar emërimin. Kjo pjesë parashikohet në projektligjin e paraqitur për t’u hequr, dhe këtë ta bëjë drejtori i shkollës. Kjo godet në thelb pozicionin, garancinë e mësuesit”, tha Dobrushi.

Sindikalistët kanë deklaruar se këto vonesa janë të qëllimta, për të kryer emërime drejtorësh dhe mësuesish pa meritë.

Top Channel