Gama e emrave që qarkullojnë në media dhe në qarqet politike për kandidatë potencialë për zgjedhjet vendore është tkurrur ndjeshëm dhe në pah po dalin rivalët më të mundshëm.
Mazhoranca kërkon të zgjerojë sa më shumë koalicionin dhe për këtë është duke zhvilluar bisedime edhe me Frymën e Re Demokratike. Për emrat e kandidatëve dhe për koalicionet e mundshme u fol këtë të hënë në emisionin “Shqip” me Rudina Xhungën.
Emisioni nisi me një koment mbi ngjarjen e ditës, mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të diskutuar kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima.
Për analistin Lutfi Dervishi, ka shkelje të Kushtetutës nga ana e deputetit Kokëdhima. “Nga një vështrim prej amatori të nenit 70 të Kushtetutës dhe ligjit për konfliktin e interesit shihet qartë që ka shkelje, madje më të rëndë se në rastin Beqaj. Mazhoranca do të testohet në këtë rast dhe nuk bëhet fjalë për heqje imuniteti, por për heqjen e mandatit”, tha ai.
Përfaqësuesi i FRD-së, Gazmend Oketa foli për mundësitë e daljes në koalicion me PS-së. Ai kërkoi që të mos paragjykohej ky koalicion dhe tha se një arsye e fortë që shtyn këtë forcë të djathtë politike në koalicion me forcën më të madhe të majtë është KQZ.
“Nuk e kuptoj nevojën për t’i vendosur etiketim këtij koalicioni. Sa i përket koalicionit, gjithçka është publike dhe ka pasur një ftesë publike nga PS. Ne kemi bashkëpunuar edhe në Korçë. Bisedimet u kushtëzuan edhe nga fakti që sot kemi të njëjtën KQZ që kontrollohet plotësisht nga PD dhe FRD rrezikonte që të mos ishte pjesë e zgjedhjeve fare për shkak të kësaj përbërjeje të KQZ-së. Jemi në negociata me PS, jemi ende në negociata. Nga ne nuk është vendosur asnjë kusht, nuk është kërkuar asnjë bashki. Synimi është të arrijmë diçka në parim. Ajo që na jep qetësi është se kemi marrë miratimin e bazës për të gjitha veprimet tona pas 23 qershorit, në asamble ka patur një vendimmarrje demokratike. Sa i përket koalicionit besoj se do të merret një vendim brenda kësaj jave që do të jetë vendimtare, do të kemi gjithçka.” – tha Oketa.
Kush humb e kush fiton nga një lidhje e mundshme mes FRD-së dhe PS-së?
“Unë mendoj që koalicioni i FRD-së me PS s’është në favor të FRD, është në favor të PS. Nuk e di nëse është në favor të identitetit dhe forcës së kësaj partie për të krijuar identitetin e saj. Ky koalicion përforcon akuzat politike të Berishës të disa viteve më parë për një flirt mes Bamir Topit dhe Edi Ramës. Ky koalicion do të ishte një avantazh shumë i madh për PS, por shumë i dëmshëm për FRD”, thotë Artur Zheji.
Gazmend Oketa tha se është marrë parasysh edhe ky shqetësim, që për të ka mbetur ende në nivele hipotetike. “Ruajtja e identitetit përcaktohet nga qëndrimet që ne mbajmë. Qëndrimi ynë deri më sot si forcë e qendrës së djathtë është i përcaktuar qartë”, tha Oketa.
Nëse në Tiranë, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta qarkullojnë disa emra, në Durrës është një tjetër situatë. Mazhoranca rikonfirmoi kryetarin aktual Vangjush Dako, ndërkohë që e djathta është futur në një ‘qorrsokak’ mbi kandidaturën e Agron Dukës.
Partia Republikanë kërkon kandidimin e tij, por demokratët, të paktën deri më tani nuk dëshirojnë të lëshojnë Durrësin. Kjo ka sjellë një situatë disi të nderë mes demokratëve dhe republikanëve që janë edhe aleatët më besnikë të tyre.
Në takimin me strukturat e partisë në këtë rreth, Fatmir Mediu nuk përjashtoi daljen në zgjedhje si parti më vete. Gjithçka duket se komplikohet më shumë kur në qarkullim mediatik është hedhur edhe emri i Ardian Mukos si kandidatura e Partisë Demokratike. Burime nga gazeta “Shqip”, thonë se ky do të jetë kandidati i demokratëve, ndërkohë që mësohet edhe një tjetër detaj nga kampi socialist. Sipas “Shqip”, Partia Socialiste ka tërhequr për verifikim edhe njëherë tjetër listën e kandidatëve të saj. “Bëhet fjalë për bashki më të vogla, jo për këto të mëdhatë, aty mund të ketë ndryshime”, deklaroi Kamber Velaj, kryeredaktor i gazetës “Shqip”.
Top Channel