Lagarde mirëpret lajmin se Greqia do të shlyejë detyrimet e saj

06/04/2015 00:00

Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ka mirëpritur lajmin që i ka bërë të ditur vetë ministri grek i Financave, Janis Varoufakis, në një vizitë të tij në Uashington, se Greqia do të përmbushë detyrimet e veta.

Kjo deklaratë nga ana e palës greke bëhet vetëm tre ditë para se të skadojë afati i Greqisë për t’i paguar një detyrim borxhi FMN-së prej 450 milionë eurosh, ndërsa qeveria përballon një asfiksi të vërtetë financiare, pasi nuk ka marrë para’ prej huadhënësve të saj prej gushtit të viti 2014.

Këstet e ndihmës financiare të shpëtimit janë ngrirë pasi BE-ja dhe FMN-ja presin që qeveria e radikalëve të majtë të arrijë një marrëveshje për një paketë të re reformash, kështu që Athina ka përdorur gjithë rezervat e fondeve shtetërore për të përmbushur detyrimet e saj.

“Ne patëm një diskutim të frytshëm, tejet produktiv rreth propozimeve greke mbi reformat. Qeveria jonë është një qeveri reformatore dhe ne jemi të vendosur të reformojmë thellësisht Greqinë. Ky është premtimi ynë ndaj popullit grek. Mundësia për të diskutuar programin e reformave këtu në FMN me shefen e përgjithshme është një hap i jashtëzakonshëm në këtë drejtim”, u shpreh Varoufakis.

Kanë qenë deklaratat e kryeministrit Tsipras dhe më pas të disa ministrave të tij, se më parë do të paguhen pagat dhe pensionet dhe më pas detyrimet ndaj FMN-së ato që kanë detyruar zonjën Lagarde të ftojë urgjentisht në SHBA ministrin Varoufakis, theksojnë mediat greke. Kreditorët kanë hedhur poshtë listën e parë të reformave të hartuara nga Athina dhe para pak ditësh kanë marrë me vonesë një listë më të detajuar, por përsëri të pamjaftueshme sipas tyre, që do të diskutohet dhe shqyrtohet nga ministrat e zonës së euros në një telekonferencë të mërkurën pasdite.

Ky zhvillim ndodh në një moment kur mediat e huaja vlerësojnë se ka pak shanse që Athina të marrë të plotë ndihmën financiare dhe se kryeministri Tsipras, për të mbijetuar në këtë situatë, duhet të bëjë aleanca të reja qeveritare, pasi përballon pakënaqësi brenda gjirit të partisë së tij për arsye se ka ndryshuar shumë prej premtimeve të tij parazgjedhore.

Gjithashtu, ato vlerësojnë se vizita e tij të enjten në Moskë është më shumë e dëmshme për Greqinë sesa e dobishme, pasi Kremlini mund t’i japë Greqisë mbështetje politike, gjë që nuk shihet me sy të mirë nga BE-ja, por jo ndihmë ekonomike, ndërkohë që Athina duhet të paguajë në këto dy muaj rreth 6.5 miliardë euro detyrime ndaj kreditorëve të saj dhe arka e saj shtetërore është thuajse bosh.

Top Channel