Drejtësia e rënë me vendim gjykate

05/04/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Tekat dhe sistemi tekanjoz i kontrollit nga grupi dominant politik, mbajnë në fuqi një shoqëri të mbyllur ose që mbyllet, duke i shndërruar teknokratët në burokratë.

Në këtë rast ngjet ajo që parashihte Marksi: “Qëllimet e shtetit transformohen në qëllime të zyrave, ose qëllimet e zyrave, në qëllime të shtetit”. Hegeli në këtë pikë u përplas me Marksin, pasi ai fliste për sferën e asaj së cilës iu referua si “interesi absolut universal i shtetit të duhur”.

Por, pse ne nuk po ia dalim ta mbërrijmë shtetin e duhur? A është drejtësia e munguar ose e rënë, një ndër arsyet themelore?

Opinioni publik shqiptar është i shokuar nga përfundimi i procesit gjyqësor, pa autor, i vrasjes së komisarit Dritan Lamaj. Një proces që, jo vetëm nxori zbuluar shtetin, nënkupto së pari drejtësinë institucionale dhe ligjore të vendit, por që deziluzionon plotësisht me krejt “odisenë” e vet opinionin publik. Kjo është një histori e turpshme dhe përçmuese për shtetin ligjor të pretenduar. Është një histori dhe një proces që po ndëshkon me përlyerje morale dhe ndoshta më tepër, një qeveri të shkuar dhe një qeveri të tanishme.

Kjo histori natyrisht nuk ka mbaruar. Ky rast është një ndër rastet e përngjashme me historitë e njohura të mafies italiane me oficerët e karrierës antimafie apo strukturave të antikrimit të organizuar. Komisari Lamaj e ka humbur mundësinë për rivrasje.(!) Padrejtësia mbi të, duke e lënë në fuqi kohën e mosndëshkimit të vrasësve, tashmë është një padrejtësi mbi familjen e tij dhe krejt shoqërinë e këtij vendi. Por askush të mos mendojë se procesi për ndëshkimin e tyre e ka tejkaluar kohën. Është iluzion i gjithë atyre që tashmë janë pjesë e skenarit apo procesit të fshehur, se mund të mos e gjejnë ndëshkimin ligjor të munguar apo penguar gjer më tash.

Historia e personit që u mbajt nën akuzë dy vjet rresht, tashmë po bëhet proces për vetë segmentet dhe individët e akuzës dhe të hetimit. Ai ka për qëllim dhe të drejtë, të mos e ketë këtë akuzë, por prokuroria, hetuesit e kësaj vrasjeje dhe institucionet e linjës, nuk mund ta lënë atë në “sirtarin e të harruarave ngjarje”. Bashkëshortja e komisarit të vrarë u shpreh dje për mediat se: “Kam pyetje për të cilat nuk kam përgjigje, por unë jam këtu, pasi jeta ime nuk ka përfunduar ende dhe herët a vonë do vijë dhe dita ime e fitores, sepse unë nuk dorëzohem”.

Kjo vrasje nuk mbyllet me një apo dy vendime gjykate. Kjo është një vrasje së pari antishtet. Ajo ish një vrasje që zyrtarisht ka pasuar me shpalljen ‘Dëshmor i Atdheut’ të komisarit të ndjerë. Drejtësia për zbulimin dhe vënien në kohën e plotë të dënimit autorin dhe bashkëpunëtorët, është e patejkaluar e as e përfunduar. Familjarët e komisarit, jetëgjatësinë e këmbënguljes së tyre e kanë të njëjtë me jetëgjatësinë e dhimbjes dhe të paharresës për birin dhe prindin e humbur.

Kjo është një çështje që po e turpëron shtetin dhe drejtësinë e këtij vendi në atë farë feje sa mund të quhet ndryshe edhe një provë që nuk zhbëhet dot, gjer sa të dalë fytyra e vrasësit para vendimit të dënimit përfundimtar. Nuk është e tepërt të nënkuptohet se vullneti i qeverisë shqiptare për të sendërtuar një bashkëpunim dhe përfshirje në kuadër të Byrosë Kombëtare të Hetimit me FBI-në të përfshijë në grupin e parë të sprovave edhe hetime të kësaj natyre. Italia e viteve 1985 dhe pas viteve 1990 ka pasur zyrtarisht bashkëpunim dhe koordinime me CIA-n dhe FBI-në për krime mafioze dhe vrasje të mirëkamufluara të oficerëve dhe agjentëve antimafie. Në jo pak raste, suksesi i kësi bashkëpunimi, ka qenë i padiskutueshëm.

Shqipëria e sotme e ka nevojë zgjerimin e asistencës së hetimeve të ngjarjeve të tilla dhe të zbulimit të vrasësve që i ikin autorësisë me gjithfarë mundësish dhe lehtësish, të cilat i mbart sistemi dhe sidomos kjo strukturë e korruptuar e drejtësisë dhe sistemit gjyqësor.

Drejtësia e rënë e këtij vendi e ka pasur alibi tranzicionin dhe sidomos burokracinë e ndyrë politike, e cila e ka përdorur atë, sikundër edhe vetë është paguar prej saj. Kjo lojë e një sistemi kapjeje brenda sistemit të korruptuar politik e ka mbaruar kohën e vet. Në sytë e publikut dhe të partnerëve skota e nëpunësisë dhe e zyrtarëve të drejtësisë së ndotur, po sodisin pse jo me ankth, se deri ku po mbërrin farsa degraduese dhe përcmuese. Sistemi i degraduar e ka destinacion vetëshembjen. Matanë tij dhe sidomos në shtytimin qytetar mbetet i paeklipsuar ideali i qytetarëve për shtet të duhur.

Kush e premton dhe e çon më tej zhgënjimin që gjen, shembet më shpejt dhe po kaq shpejt gjendet para ndëshkimit qytetar. Nuk është e ekzagjeruar të thuhet se qeveria e Kryeministrit Rama nga loja e korruptuar e drejtësisë së rënë dhe asaj të munguar, po ndëshkohet shumë më tepër nga sa mund ta ketë menduar apo perceptuar ndaj ish-qeverisësve, kur ishte në opozitë. Drejtësia e rënë në rastin e komisarit të vrarë Lamaj është një goditje me shumë brendi për vetë qeverinë e majtë të vendit. Sepse është rasti i posaçëm i drejtësisë së rënë ligjore dhe shtetërore, me vendim gjykate.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA