Edhe kjo e enjte ishte një ditë e ngarkuar me zhvillime politike. Për herë të dytë, Mark Frroku prangoset duke ashpërsuar debatin për dekriminalizimin e politikës. Në të njëjtën kohë po afron fushata elektorale, dorëheqja e Bashës i hapi rrugën procesit të përzgjedhjes së kandidatit a kandidates së të djathtës për kryeqytetin. Ky emër nuk ka dalë ende, ndërkohë që në pah kanë dalë edhe probleme të së djathtës me aleatët, sidomos për Durrësin. Por as te e majta nuk është më mirë, pasi u premtua që në 1 prill do të dilnin emrat e kandidatëve, por ende nuk kanë dalë.
Për të diskutuar mbi kandidatët të ftuar në panelin e Top Story këtë të enjte ishin analistët Arjan Vasjari, Skënder Minxhozi e Mustafa Nano, ndërsa kreu i Partisë Republikane ishte përfaqësuesi i politikës.
Përçarja e opozitës për Durrësin
Ka patur disa krisje mes Partisë Demokratike dhe asaj Republikane, që është pasqyruar edhe në media sa i përket kandidatit të Durrësit. Kjo ‘krisje’ është konfirmuar edhe nga kreu i PR-së, Fatmir Mediu.
“Prej disa kohësh kam kërkuar që e gjithë opozita të ketë një diskutim të përbashkët për të caktuar kandidatët. Çdo vonesë është e gabuar, sidomos për opozitën. Mendoj që opozita nuk duhet të vlerësojë vetëm kandidatët e partive, por të shohë përtej partive në mënyrë që të gjejë kandidatët e duhur për qytetarët. I kemi përcjellë PD-së prej kohësh një marrëveshje politike, por nuk kemi marrë përgjigje konkrete. Me ndarjen e re territoriale, ishte e domosdoshme që të uleshim e të diskutonim. Për Durrësin sondazhet treguan se zoti Duka do të ishte fitues, por vonesa sjell shqetësim pasi të organizosh fushatën nuk është e lehtë. Mospërgjigja krijon probleme, sidomos kur propozimi i Dukës erdhi nga vetë PD-ja. Tani jemi në proces negocimi dhe të shpresojmë që të arrijmë në angazhim të përbashkët për të fituar Durrësin. Opozita është gjithmonë e vështirë dhe marrëdhënia PD-PR është historike. Ajo çka i kemi parashtruar, nuk është se do i imponohemi për zona të caktuara me kandidatët tanë, por duam të diskutojmë mbi individët e duhur që t’i mbështesim bashkarisht”, tha Mediu.
Po nëse PD refuzon Dukën, cili do të jetë vendimi i republikanëve?
“Nuk përjashtohet mundësia të dalim me zotin Duka në zgjedhje dhe PD-ja me kandidat të sajin. Sondazhet thonë që 80 përqind e mbështetësve të PD-së e duan zotin Duka. Drejtuesit politikë në Durrës kanë qenë të angazhuar për mbështetjen e tij. E djathta duhet të synojë të jetë bashkë, edhe elektorati çam është i djathtë”, deklaroi Mediu.
Për Skënder Minxhozin opozita nuk ka luksin të përçahet. Ai tha se Agron Duka është kandidati më i mirë dhe më i fortë i saj, ndërsa Arjan Vasjari shtoi se Duka, pavarësisht mbështetjes që mund të gëzojë personalisht, nuk mund ta fitojë Durrësin pa mbështetjen e Partisë Demokratike.
Keti Bazhdari për Shkodrën
Në Shkodër mazhoranca e majtë ka përzgjedhur Keti Bazhdarin si kandidate për këtë qytet. Një ish e përndjekur, Bazhdari ka pranuar sfidën, që e vlerëson si të vështirë, në një qytet që njihet tradicionalisht si bastion i së djathtës.
“Sfida është e madhe, por sfidat më kanë tërhequr. Unë jam e majtë, qasja ime është e majtë dhe ndjej shumë përgjegjësinë sociale, edhe pse vij nga një familje e djathtë. Mendoj se kam shumë mundësi në Shkodër, pasi e djathta në këtë qytet është konsumuar. Një grua do të ishte më paqtuese në politikat mes të majtës dhe të djathtës në qytetin e Shkodrës. PD-ja e ka shfaqur Shkodrën si qytetin e anti-komunizmit”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejtë me Top Story-n.
Për kandidaten socialiste, që mori edhe mbështetjen e LSI-së menjëherë pas njoftimit prej kryeministrit Rama nga Shkodra, kandidati nuk është pronë e partisë, por produkt i një koalicioni qytetar.
“Kemi ndërtuar një staf me njerëz me integritet. Ajo që po ndërtojmë në programin tonë është në bazë të interesave të qytetarëve”, tha ajo.
Dekriminalizimi
Në pjesën e tretë u fol për dekriminalizimin, i cili ka qenë në qendër të debateve të seancës së kësaj të enjteje në Parlament mes deputetëve të Partisë Demokratike nga njëra anë dhe Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri e kryeministrit Edi Rama nga ana tjetër.
Kreu i Partisë Republikane tha se dekriminalizimi është një domosdoshmëri për t’i dhënë fund personave me rekorde kriminale në Kuvend. Ai akuzoi Partinë Socialiste se qëllimisht ka përzgjedhur persona problematikë në zonat e njohura si bastione të PD, përfshirë këtu Shkodrën.
“Më ka bërë përshtypje fjala e Ramës në Shkodër, ajo që ‘unë për punën prish miqësinë’. Po ta analizosh drejt thotë që ‘unë për pushtetin prish miqësinë’. Në Shkodër dhe shumë zona të tjera janë përzgjedhur qëllimisht njerëz, që nuk i takojnë Kuvendit të Shqipërisë. Kjo është bërë qëllimisht për të ushtruar dhunë dhe presion gjatë fushatës elektorale. Ky është një lloj manipulimi tjetër i zgjedhjeve, që ka ndodhur dhe është real. Dekriminalizimi duhet të ndodhë që parlamenti të kthehet në vetëdijen e vet dhe që numrat të mos zëvendësohen me numra të tjerë, por për të kufizuar vendimet e politikës në vendime të drejta”, tha ai.
Ajo që është më keqardhëse, tha ai, është se qeveria vazhdon e flet si të ishte në opozitë, ndërkohë që duhet të analizojë punën e saj në këto kohë.
Për analistin Minxhozi, mazhoranca keqmenaxhoi rastin Doshi.
Analisti Mustafa Nano tha se ajo që bashkon politikanët shqiptarë është një tipar. “Kur janë në opozitë janë në gjendje të lexojnë saktë realitetet politike në Shqipëri, në momentin që vijnë në pushtet verbohen”, tha ai.
Për Arjan Vasjarin përmbyllja e procesit të dekriminalizimit nuk do të largonte nga Kuvendi gjuhën e ashpër që përdoret mes palëve.
“Dekriminalizimi, jam dakort të jetë një proces që të ketë një nisje dhe një mbyllje, por mos kujtoni se largimi i personave me një çertifikatë kriminale do të zhdukë këtë zhargon kriminal që dëgjojmë çdo të enjte”, tha ai.
Top Channel