Negociatat SHBA-Iran, analistët janë kritikë: Mungon transparenca

02/04/2015 00:00

Edhe pse negociatat e shumë trumbetuara për marrëveshjen midis Iranit dhe SHBA po shkojnë drejt fundit, shumë analistë janë kritikë se mungon transparenca në çdo hap të ecurisë së programit bërthamor.

Në datën 3 mars, kur procesi nisi të marrë trajtë, fjalimi i Kryeministrit izraelit në Kongresin amerikan u përkthye nga Shtëpia e Bardhë si një përpjekje e qëllimshme për të minuar negociatat e Uashingtonit me Teheranin. Duket se roli i Tel Avivit ka një peshë shumë të madhe në përfundimin e negociatave dhe ndoshta kjo është arsyeja kryesore, se përse procesi nuk ka marrë edhe vulën e fundit.

Por aq sa të largëta duken këndvështrimet e Obamës dhe Netanyahut lidhur me këtë çështje, duket se të dy liderët edhe pajtohen diku. Asnjëri prej tyre nuk dëshiron që Irani të ketë kapacitetin për të ndërtuar armë bërthamore. Të dy qeveritë, si edhe shumë të tjerë në komunitetin ndërkombëtar,  kanë dyshimin se Teherani ka qëllime të fshehura. Në përgjithësi ata duan të kufizojnë aftësinë e Iranit për t’u pasuruar me uranium me frikën e ndërtimit të një arsenali të armëve bërthamore.

Por, teksa SHBA dhe Izraeli ndajnë të njëjtat aspirata rrugët e tyre ndahen diku. Ata kanë pikëpamje të kundërta mbi atë që duhet të rezultojë nga diplomacia me Iranin. Kryeministri izraelit dëshiron që Teherani të mos ketë asnjë lloj kapaciteti bërthamor, ndërsa Shtëpia e Bardhë është dakord që Irani të mbajë një kapacitet të kufizuar të uraniumit nën tutelën e rregullave shumë të rrepta. Por, nga ana tjetër Netanyahu kërkon më shumë sanksione ndaj Iranit në formën e presionit, duke insistuar se asnjë marrëveshje nuk është e mirë në momentin që e lejon Teheranin të jetë në gjendje të prodhojë armë bërthamore.

Sipas Uashingtonit, nëse Teherani është suke u përpjekur të fsheh atë që po bën, forcat amerikane do ta kuptojnë shumë shpejt, në rastin më të keq ndoshta për dy javë. Kjo është një hapësirë kohore, që sipas tyre, do të linte komunitetin ndërkombëtar që të vepronte.

Nëse diplomacia dështon me misionin e saj presioni kundër Iranit do të rritet. Sipas ekspertëve, kjo do të jetë një tjetër luftë në Lindjen e Mesme, madje edhe më e kushtueshme.

Top Channel